Arban Abrashi, kandidat i LDK-së për Kryetar të Prishtinës

Prishtinë | 20 Gus 2017 | 12:06 | Nga

LDK tashmë ka vendosur për kandidatin për kryetar të qytetit më të rëndësishëm në Kosovë. Është Arban Abrashi, aktualisht deputet dhe ish-ministër në Qeverinë e Isa Mustafës. Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku janë tërhequr nga gara për shkak të frikës prej humbjes. Ndërsa, Ismet Beqiri ka gjasa të jetë kandidat për Kryeqytet nëse tërhiqet Abrashi nga gara.
Shpend Ahmeti do të përballet në garën për Kryetar të Prishtinës me Arban Arbashin, deputetin aktual të LDK-së.

Kjo është vendosur nga udhëheqja e LDK-së.

Burime të Express kanë treguar se Lumir Abdixhiku e Vjosa Osmani s’kanë pasur guxim të hyjnë në garën për të udhëhequr qytetin më të rëndësishëm në Kosovë.

Arbashi nuk është përgjigjur thirrjeve të Express nëse do të jetë kandidat i LDK-së për Kryetar të Kryeqytetit.

Ndërkohë, Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, një ditë ma parë, ka thënë për Express, se në kandidatë për Kryetar të Prishtinës janë: Arban Abrashi, Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani e Ismet Beqiri.

Ish-Kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, ka disa muaj që ka nisur të bëhet gati për të qenë kandidat për Kryetar të Kryeqytetit. Mirëpo, duket se as kësaj radhe nuk do të jetë kandidat.

“Ismet Beqiri mund të kandidojë vetëm nëse tërhiqet Arban Abrashi”, ka thënë një zyrtar i LDK-së.

Prej pasluftës, Prishtinën e kishte udhëhequr LDK’ja. Fillimisht Kryetar ishte Ismet Beqiri, pastaj Isa Mustafa. Në mandatin e fundit, Prishtinën e ka udhëhequr Shpend Ahmeti.

Deri tash, në garën për Kryetar të Prishtinë janë: Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, Arbër Vllahiu i AAK-së dhe Arban Abrashi i LDK-së.(GazetaExpress)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme