Arban Abrashi: Protesta e VV-së është e mirëseardhur, LDK nuk merr pjesë

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Abrashi në emisionin Sytë 7 në Klan Kosova, ka theksuar se ka mjaft arsye për të protestuar, pasi që sipas tij, Qeveria aktuale është e prishur dhe e zhytur në popullizëm.

“Vetëvendosja edhe më herët i ka bërë ftesë LDK-së që të organizojnë protesta së bashku. Mirëpo në nuk do të marrim pjesë në këtë protestë. Protesta e tyre është e mirëseardhur pasi që e ndihmon demokracinë. Me këtë qeverisje ka mjaft arsye për të protestuar. Ka marrëdhënie të mira midis LDK-së dhe VV-së, mirëpo rrugët na dallojnë dhe këtu s’ka asgjë të keqe”.

“Qeveria Haradinaj është e prishur dhe nuk funksionon shumë mirë. Raportet brenda koalicionit nuk janë të shëndosha pavarësisht se ata përpiqen që kjo të mos vërehet. Kjo Qeveri është zhytur në popullizëm dhe kjo nuk i ndihmon qytetarët. Në këtë rast ne jemi zhytur në të dhe nuk po përmirësohet jeta qytetarëve”.

“Jemi fokusuar në tema të mëdha, ndërsa temat për mirëqenien e qytetarëve janë lënë anash. Gjithçka mandej lidhet me humbjen e shpresës në vend, gjë që është shumë shqetësuese”.

“Migrimi si fenomen ndodhë edhe nëpër botë. Por tek ne nuk po u jepet mundësi atyre që po dëshirojnë të largohen nga vendi. Ne e kemi bombarduar qytetarin me tema të mëdha si Taksa prej 100 për-qind, Bashkimi me Shqipërinë dhe Dialogu me Serbinë”.

“Sot i kemi dëshmitarë ambasadorët e huaj të cilët na tregojnë se si duhet të shkojë një proces i rekrutimit. Nepotizmit ia kemi parë sherrin edhe në Arsim. E njëjta ka ndodhur edhe në Shëndetësi edhe në Administratë Publike sepse partitë politike i kanë futur duart”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme