Arbana Xharra zyrtarisht në PDK, thotë se i është premtuar hapësirë

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 14:18 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gazetarja Arbana Xharra nga sot është bërë zyrtarisht anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për medie ka prezantuar aderimin më të ri në këtë parti.

Veseli tha se sot ka ardhur ta ndajë një lajm të gëzueshëm. “Gjithnjë e më shumë njerëz të rinj po i bashkohen PDK-së. Jemi të përkushtuar ndaj rritjes së transparencës, jam i vendosur për fuqizimin e grave në institucionet tona dhe partinë tonë. Pa rolin e grave dhe pa fuqizimin e tyre nuk mund të kemi integrim të fuqishëm euroatlantik”, ka thënë Veseli.

Ai tha se si kryetar i PDK-së e ka ndjekur punën e Arbana xharrës si gazetare. “E kam ftuar që të ndajë me ne përkushtimin e saj për Kosovën, si një anëtare e PDK-së”, tha Veseli.

Sipas kreut të PDK-së, ekziston një disponim në rritje te qytetarët për një fillim të ri dhe se gjithnjë e më shumë njerëz po i bashkohen PDK-së.

E duke folur për Arbana Xharrën, Veseli ka thënë se ajo nuk është vetëm fituese e një çmimi (më 2015, ajo fitoi shpërblimin e guximtarëve ndërkombëtarë nga departamenti i ShBA-së), por në të njëjtën kohë është dhe menaxhere e suksesshme.

Kurse, Arbana Xharra ka thënë se i bashkohet PDK-së pa asnjë kusht. “Më është premtuar hapësira”, ka thënë ajo.

“Kam me vazhdu me dinjitet me punu, kam me vazhdu me qenë zëri i qytetarit të Kosovës. Vazhdojë me qëndru prapa shkrimeve që kam ba dhe kam me vazhdu me qëndru kritikuese edhe brenda partisë”, tha Xharra.

Tashmë ish-gazetarja, e njohur si një kritikuese konsistente ndaj PDK-së, ka kërkuar të mos “kryqëzohet” nga kolegët e saj, por ta lejojnë të punojë.

Burime të Ekonomia Online bëjnë të ditur se ditëve të ardhshme pritet të bëhen publike dhe disa aderime të tjera, përfshirë disa emra që janë përmendur në medie.

Të ngjashme