Arben Gashi e propozon Glauk Konjufcën për kryetar të komisionit hetimor parlamentar për rrymën

Prishtinë | 28 Pri 2022 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Pushteti dhe opozita po afrohen pak drejt një dakordimi për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjet e energjisë elektrike. Kjo pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca e solli një interpretim të zyrës ligjore të Kuvendit për këtë çështje, raporton Gazeta Express.

Edhe me një interpretim të deputetes Doarsa Kica, gjërat u bënë më të mundura.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e propozoi Konjufcën për kryetar të këtij komisioni, pas diskutimeve se kush do të duhej ta udhëhiqte atë.

“Unë propozoj që kryetar i këtij komisioni të jetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Faleminderit”, tha ai.

Paraprakisht, Gashi, i cili në fillim të seancës paralajmëroi përplasje ndërsa e quajti jokushtetuese përpjekjen e pozitës për formimin e një komisioni hetimor parlamentar.

“Më në fund po vijmë te zëri i arsyes”, tha Gashi. “Na u dashtë gjithë ky debat me mbërri deri te arsyeja”.

Pushteti dhe opozita po diskutojnë sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme