Arbërie Nagavci: Kulla e Sylejman Vokshit, aset jo vetëm i Gjakovës por edhe vlerë e trashëgimisë historike

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë që Kulla e Sylejman Vokshit është një vlerë e trashëgimisë tonë historike.

Nagavci i ka quajtur korrekte reagimet e qytetarëve lidhur me veprimet e qeverisjes lokale për këtë rast .

Këto shqetësime Nagavci ka theksuar se i ka paraqitur në Komisionin për Arsim, Kulturë e Shkencë ndërsa ka kërkuar nga Ministri i Kulturës dhe drejtoresha e departamentit për Trashëgimi Kulturore vëmendje të veçantë.

Lexoni postimin e plotë të Nagavcit në Facebook:

Kulla e Sylejman Vokshit është aset jo vetëm i Komunës së Gjakovës, është vlerë e trashëgimisë sonë historike, e kulturës dhe rezistencës, andaj dhe nuk guxon të rrezikohet dhe duhet të mbrohet nga qytetarët e Gjakovës dhe krejt Kosovës.

Revolta e qytetareve, lidhur me veprimet arbitrare te qeverisjes lokale jo vetëm në këtë rast, por për vite me rradhë, duke i ndjekur interesat e individuale, e jo te komunitetit, dhe duke ndikuar seriozisht në mjedisin jetësor dhe origjinalitetin e qytetit te Gjakovës, duke degraduar në thelb çdo vlerë të planifikimit hapësinor, është e drejtë.

Krimi i organizuar, nepotizmi, klientilizmi partiak e injoranca po e ngulfasin edhe Komunën e Gjakovës, ashtu si shumicën e Kosovës. 

Kjo gjë duhet të ndërprehet sa më parë, qytetarët e Komunës së Gjakovës edhe pse e shohin dhe e ndjejnë çdo ditë se janë lënë pasdore e janë injoruar duhet të rigjejnë forcën e guximin qytetar për të reaguar për të drejtën e tyre. Duhet të kërkojnë llogari e përgjegjësi ndaj secilit e secilës që tejkalon e keqpërdor kompetencat e tyre. Duhet të reagojnë për padrejtësitë dhe duhet të pengojnë proceset e vendimet e padrejta, joligjore e të dëmshme për Komunën.

Edhe pse zhvillimi i urban është proces i pashmangshëm dhe kërkesë e kohës, Komuna e Gjakovës duhet ta ketë parasysh që mbrojtja e trashëgimisë dhe e mjedisit është përgjegjësi kushtetuese e përcaktuar me nenin 52, të Kushtetutës së Kosovës, dhe në marrjen e vendimit duhet me kujdes të bëj balancim të drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit/trashegimisë, si zhvillim i qëndrueshëm dhe të zhvillimit urban.

Të ngjashme