Arifaj: Askush s’mund t’ia humbë Thaçit meritat për Kosovën

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ka thënë se ka ndjenja të përziera kur në aktivitetet në Ditën e Presidentit nuk është i pranishëm ish-shefi i tij që ndodhet në paraburgim në Hagë.

“Është një kujtesë, se vetë Dita e Presidentit shërben për t’i kujtuar vlerat dhe parimet që kemi instaluar. Për neve është pak edhe prekëse sot, sepse vetë presidenti Hashim Thaçi nuk është këtu dhe është në Hagë besojmë padrejtësisht prandaj edhe besojmë që shumë shpejt do të kthehet. Është një ditë kur i kujtojmë të gjitha ato vlera se për çfarë jemi angazhuar dhe çfarë kemi ndërtuar gjithë këto vite si Kosovë. Sot na e kujton edhe presidentin [Hashim] Thaçi, mungesën e tij dhe nevojën që të jetë këtu dhe të njëjtën kohë besimin që e ka shprehur edhe vetë presidenti Thaçi se drejtësia do të ngadhënjejë dhe edhe ky kapitull do të mbyllet me sukses si të gjitha kapituj e tjerë dhe do të kthehet në Kosovë”.

Arifaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se askush nuk mund ta mohojë kontributin e Hashim Thaçit për këtë vend, ani se presidentja Vjosa Osmani dhe paraardhësit e saj [Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli] nuk e përmendën sot gjatë aktiviteteve për Ditën e Presidentit.

“Secili e ka për vete. Nuk kam nevojë që t’i komentojë sjelljet e të tjerëve, por askush nuk mund ta mohojë kontributin e presidentit Thaçi dhe as kontributin e presidentit Rugova për çka kanë punuar, angazhuar dhe për çka janë sakrifikuar, sepse kjo më së miri shihet sot në institucionet që janë ndërtuar. Kjo është ajo që po mundohemi edhe sot të promovojmë – demokracinë si koncept dhe realitet, si mënyrë e të jetuarit në të cilin e pranojmë kontributin e secilit pa e përjashtuar dhe mohuar kontributin e askujt. Për kontributin e Hashim Thaçit nuk ka nevojë as të flitet, është historike dhe është i shkruar edhe në libra. Nuk i bën askush nder pse ia përmend emrin dhe askush nuk e zvogëlon emrin e tij pse nuk ia përmend emrin”.

“Mendoj që është padrejtësi e madhe që [Hashim Thaçi] nuk është këtu dhe që nuk është lejuar ta përfundojë detyrën e tij si President i Kosovës. Një padrejtësi jo vetëm ndaj presidentit Hashim Thaçi, por ndaj tërë Kosovës. Nuk mund askush t’ia humbë meritat që i ka për këtë vend”.

Të ngjashme