Arifi: Dhuna në shkolla alarmante, Qeveria po heshtë

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 15:11 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarja e kryesisë së rinisë së PDK-së, Jona Arifi në një konferencë për medie ka reaguar lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit në institucionet arsimore dhe për rastet e shpeshta të raportuara të dhunës fizike, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, bullizmit dhe stigmatizimit ndaj nxënësve, raporton Ekonomia Online.

Arifi ka theksuar se Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh shqetësim të thellë lidhur me këtë situatë e cila ka marrë përmasa alarmante për secilën familje në Kosovë dhe kërkon veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e të gjitha rasteve të ngacmimeve dhe dhunës ndaj nxënësve.

Ajo ka hedhur akuza ndaj tri qeverive që janë ndërruar përgjatë periudhës së pandemisë që nuk kanë bërë asgjë për t’iu siguruar nxënësve mësim adekuat, si pasojë e së cilës do të kemi një vit të humbur shkollor dhe me pasoja afatgjata.

“Mungesa e ambienteve të përshtatshme për nxënësit dhe paraqitja e këtyre rasteve ndikojnë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe në zhvillimin dhe mirëqenien mentale dhe social të nxënësve”.

“Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë, që para së gjithash vjen nga nxënësit dhe prindërit e tyre”.

“Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës bën thirrje për çasje pro aktive, për politika të menagjimit të shkollave që krijojnë mjedise miqësore të sigurta dhe jopërjashtuese për të gjithë nxënësit”, ka thënë Arifi.

Deklarata e plotë e Jona Arifit:

Të nderuar përfaqësues të mediave, qytetarë të nderuar, 

Ngjarjet e ditëve të fundit në institucionet arsimore, sidomos rastet e shpeshta të raportuara të dhunës fizike, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, bullizmit dhe stigmatizimit ndaj nxënësve, na kanë tronditur shumë të gjithëve.   

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës shpreh shqetësim të thellë lidhur me këtë situatë e cila ka marrë përmasa alarmante për secilën familje në Kosovë. 

Veçanërisht, rasti i fundit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë është i tmerrshëm dhe skandaloz, për çka kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat për ta trajtuar me prioritet këtë rast. 

Ambientet e sigurta dhe komode në shkollë janë kusht i parë që fëmijët të kenë mundësinë e mësimit cilësor. 

Për shkak të pandemisë, tash e një vit, sistemi arsimor në Kosovë ka shkuar në vazhdimësi drejt degradimit në të gjitha aspektet. 

Tri qeveritë e Kosovës që janë ndërruar përgjatë kësaj periudhe të pandemisë, nuk bënë asgjë për tu siguruar nxënësve mësim adekuat dhe si pasojë do të kemi një vit të humbur shkollor dhe me pasoja afatgjata.  

Për më keq, pas disa muajve të mbylljes totale u fillua me rikthimin e nxënësve nëpër shkolla me orare të përgjysmuara, por tanimë pasojat kishin filluar të shfaqen gjithandej vendit, anipse mjaft raste të dhunës dhe ngacmimeve tashmë janë bërë publike. 

Mungesa e ambienteve të përshtatshme për nxënësit dhe paraqitja e këtyre rasteve ndikojnë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe në zhvillimin  dhe mirëqenien mentale dhe social të nxënësve. 

Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë, që para së gjithash vjen nga nxënësit dhe prindërit e tyre.

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës bën thirrje për çasje pro aktive, për politika të menagjimit të shkollave që krijojnë mjedise miqësore të sigurta dhe jopërjashtuese për të gjithë nxënësit. 

Viteve të fundit, janë marrë shumë iniciativa ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, mirëpo nevojitet një hulumtim i detajuar se sa janë duke u zbatuar këto në praktikë dhe një analizim i mekanizmave funksionalë për të parë sa janë të besueshëm për fëmijët. 

Kjo është përgjegjësi direkte e Qeverisë së Kosovës, e Ministrisë së Arsimit, e cila siç duket nuk është interesuar fare për këto shqetësime. 

Qeveria dhe komunat janë përgjegjëse për tu krijuar fëmijëve siguri në shkolla, sepse nuk duhet toleruar qe dhuna ndaj nxënësve, nuk duhet kthyer në burim bullizmi e stigmatizmi. 

Ngërthimi i të gjithë akterëve, përfshirë të gjitha institucionet përgjegjëse, nxënësit, prindërit dhe organizatat relevante, është i domosdoshëm për tu siguruar që shkolla të jetë një institucion i sigurt dhe edukativ për nxënësit. 

Për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, kërkojmë nga të gjithë, në rradhë të parë të veprojnë, duke pasur në fokus interesin më të mirë të nxënësve. 

Ne si Rini e Partisë Demokratike, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse veprime urgjente për trajtimin e të gjitha rasteve, pasiqë për raste të tilla asgjë nuk mund të shërbej si justifikim. 

Të ngjashme