Arifi: Qeveria duke dashur të tregojë trimëri ka rënë në kurthin e vet

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 22:27 | Nga Ekonomia Online

Politologu Dritëro Arifi ka deklaruar se Qeveria duke u munduar të tregojë trimëri me çështjen e targave ka rënë në kurthin e vet.

Sipas Arifit, nëse dikush do të duhej të jepte llogari në rast të ndonjë problemi eventual në raport me Serbinë, ai tha se do të duhej të jepte Qeveria sepse sipas tij, opozita nuk ka pasur rol të madh sa i përket kësaj çështje.

“Në njëfarë mënyre Qeveria duke u munduar me tregu trimëri ka ra në kurthin e vet, Këtu opozita nuk ka rol të madh sepse nëse ndodh ndonjë problem kush ka llogaridhënie. A jep dikush llogaridhënie, a shkon dikush te shpija për këtë çështje? Sepse ska me qenë e lehtë unë jam i bindur edhe pse Qeveria po mundohet kinse me bë diçka”, tha ai.

Tutje Arifi në emisionin “Këndi i Debatit”, shkuarjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Bruksel për takim me diplomatin e BE-së, Miroslav Lajçak e cilësoi si të turpshme.

“Shkuarja dje e numrit dy të Qeverisë ka qenë e turpshme për mua, shumë e turpshme dmth Amerikës me i thënë prit se unë di më mirë e Lajçakut hajde ta gjejmë një zgjidhje kjo është nivel shumë i ulët i diplomacisë të cilit nuk e di a mund t’i themi diplomaci në këto momente”, shtoi ai.

Të ngjashme