Armend Muja pendohet për sjelljen impulsive sot në Kuvend, i kërkon falje punëtores së administratës

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, i ka kërkuar falje publike zyrtares së administratës, ndaj të cilës pati sjellje arrogante sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Muja gjatë mbledhjes dëgjohet teksa i thotë punëtores së administratës “ulu, mos m’u afro”.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Muja thotë se nuk do të dëshironte që personaliteti i tij të karakterizohet nga “ngjarja e sotme e shkëputur në medie”.

Reagimi i plotë:

Ngjarja e sotme në takimin e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere e shkëputur në media e cila portretizon komunikimin tim me zyrtaren e Komisionit, është një ngjarje me të cilën nuk dua të karakterizohet personaliteti im. Gjatë seancës një nga zyrtaret e Kuvendit po propozonte forma se si të tejkalohej një ngërrç ndërmjet kërkesës së RTK-së për votim të shpejtë të raportit tremujor të shpenzimeve dhe nesh për një raport më të detajuar para votimit.  Këto diskutime krijonin pak vështirësi në mbarëvajtje të seancës dhe diskutimeve nga deputetët.

Rrethanat të cilat sollën tek sjellja ime ekspresive, nuk e arsyetojnë atë, përkundrazi janë mësim të jem shumë më i kujdesshëm dhe respektues ndaj stafit ndihmës të Komisioneve funksionale të Kuvendit. Unë shpreh keqardhjen time për këtë ngjarje, i kërkoj ndjesë publike punëtores së administratës së Kuvendit dhe e mirëpres bashkëpunimin tonë të radhës. Në poziten e Kryetarit të Komisionit do të jem bashkëpunues dhe i hapur për të gjithë, deputetët, punëtorët e Kuvendit, mediat, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët e Republikës. Puna që kemi para vetit është me përgjegjësi të madhe, andaj edhe kujdesi ndaj tjerëve duhet të jetë i madh.

Me respekt,

Armend Muja

LEXO EDHE:

Të ngjashme