Arrestimet e krerëve të UÇK-së nuk shihen si arsye për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të vazhdohet dialogu me Serbinë, pavarësisht arrestimeve të krerëve të UÇK-së ditëve të fundit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për gazetën Objektiv ia ka rikujtuar kryeministri Avdullah Hoti se ky i fundit është zotuar se do ta vazhdoj dialogun me palën serbe.

“BE-ja është lehtësuese e dialogut dhe ne jemi duke u përqendruar në këtë rol. Nuk po komentojmë vërejtjet publike të zyrtarëve të ndryshëm nga njëra anë ose nga tjetra. Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, përsëri po vazhdon dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Udhëheqësit nga të dyja anët – Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti konfirmuan (në një deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësi të madhe integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Beograd-Prishtinë. Pasja parasysh e këtij zotimi të qartë dhe kuptimi i prioriteteve është esenciale për progresin dhe përparimin në rrugën europiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano.

Në të njëjtën linjë me Stanon është edhe analisti politik Fitim Salihu. Ai konsideron që negociatat duhet të vazhdojnë pasi sipas tij bisedimet me Serbinë kanë synim final marrjen e njohës nga Serbia dhe në këtë aspekt Kosovës i konvenojnë këto negociata.

“Qeveria jonë duhet ta imponojë në këto negociata temën e të pagjeturve të luftës. Njëherit, pala jonë duhet të insistojë në hetimin dhe gjykimin e krimeve masive serbe në Kosovë. Nuk ka kurrfarë sensi që të gjykohen padrejtësisht ushtarët e UÇK-së dhe të amnistohen krimet monstruoze të shtetit serb. Fatkeqësisht, sot kemi më shumë shqiptarë të dënuar sesa serbë për krime lufte, ndonëse dihet që shteti serb ka qenë agresori dhe Kosova ka qenë viktima, kurse UÇK-ja ka kapur armët për ta mbrojtur popullsinë civile. Prandaj, është domsdoshmëri historike që të ngrihet kjo çështje në negociata me Beogradin, por nuk mendoj që ato duhet ndalur. Jo pse me këtë do ta hidhëronim Serbinë, por sepse në sytë e aleatëve tanë do të dukeshim sikur pala destruktive dhe qaramane’, potencoi Salihu.

Ndërkohë, hulumtuesi në organizatën D4D, Allen Meta kërkon nga politikanët kosovarë që të jenë të bashkuar për t’i diskutuar temat që janë në interes të palës kosovare në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Rrethanat e fundit politike në të cilat ndodhet Republika e Kosovës kanë krijuar destabilizim politik të brendshëm, i cili mund të shfaqet edhe në politikën e jashtme të Kosovës përkatësisht në dialogun me Serbinë. Në këtë moment Kosovës i duhet unitet i brendshëm nga i gjithë spektri politik. Të gjitha partitë politike së bashku me u.d Presidenten e Republikës së Kosovës, duhet të bashkohen e të bëhen një zë, duke e vazhduar dialogun me Serbinë, me çështjet kryesore si gjetja e personave të zhdukur, zbulimin e krimeve të kryera në Kosovë nga shteti Serb e deri te njohja reciproke. Përndryshe rrëshqitja në tema tjera mund të jetë e dëmshme për Kosovën”, theksoi Meta.

Për këtë temë u diskutua edhe të premten në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Ministri i Drejtësisë dhe përfaqësuesi i AAK-së në dialog Selim Selimi, kërkoi pezullimin e menjëhershëm të dialogut Kosovë-Serbi për shkak të konfirmimit të aktakuzave ndaj figurave kryesore të UÇK-së.

E Kryeministri Avdullah Hoti iu përgjigj duke thënë se nuk ndërhyjnë në vendimet e organeve të drejtësisë dhe se në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe. /Objektiv

Të ngjashme