Arrestohet aktivisti i VV-së i cili e quajti “hajn” presidentin që po mbante konferencë

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 16:35 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili bërtit “hajn” në drejtim të presidentit Hashim Thaçi, derisa ai po fliste në një konferencë për gazetarët në oborrin e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Merret vesh se ai është aktivist i Vetëvendosjes, të cilët po protestonin jashtë rrethojave, të pakënaqur me zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Veron Hasani, aktivisti i Vetëvendosjes, është ankuar se është sulmuar nga truproja e presidentit Thaçi.

Ky aktivist është marrë nga policia, për t’u intervistuar në stacionin policor.

Fitim Pacolli, bashkë-aktivist i Hasanit, tha para medieve, se ndaj shokut të tij është ushtruar dhunë e hatashme.

“Disa persona të shërbimit të presidentit e kanë dëgjuar dhe kanë ardhur kanë ushtruar dhunë ndaj tij. E kanë kapur pa i kallëzuar arsyen pse është arrestuar dhe kanë filluar me goditë me boksa”.

“Veroni është tepër i sulmuar nga njerëzit e panjohur të shërbimit të presidentit. Kjo është dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës për shkak se nuk guxojnë me shpreh mendimin për një president, i cili sillet si mbret nëpër institucionet e Kosovës. Kjo është turp”, tha ai.

Vetë Hasani, derisa po shoqërohej nga policia, u ankua se u rrah me grushte nga truprojat e presidentit.

Derisa qytetarët kanë vazhduar thirrjet “Hajnat ne burg”, duke kundërshtuar “arrestimin”, Hasani është parë i gjakosur dhe me disa të ënjtura në fytyrë.

“Regjimi i Isa Mustafës po arreston njerëz dhe po e mohon fjalën e lirë të qytetarëve. Na kanë sulmuar këtu mbrapa Kuvendit. Kam plagë në fytyrë dhe në vesh. Qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nuk kalon”, u shpreh Hasani teksa shoqërohej nga pjesëtarët e Policisë.

Të ngjashme