Artan Krasniqi tregon arsyet pse nuk do të kandidojë për kryetar të Vushtrrisë

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Kardiologu nga Vushtrria, Artan Krasniqi, ka njoftuar se nuk do të jetë kandidatë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune.

Krasniqi thotë se përkundër përkrahjes së madhe për kandidimin e tij, pati edhe reagime brenda Vetëvendosjes në Vushtrri, pasi sipas tij, ata nuk donin kandidimin e tij.

 “Pasi ishte përfolur emri im si kandidat i mundshëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për kryetar të komunës së Vushtrrisë, ditë më herët pata bërë një postim ku sqarova se nëse do futem në garë do të respektoj statutin dhe organet e Lëvizjes. Përkundër përkrahjes së madhe në përgjithësi, pati edhe reagime brenda organizatës në Vushtrri, që qartazi bëjnë të kuptohet se nuk ka nje dakordancë për këtë. Arsyetimi i disa të pakënaqurve lidhej  kryesisht me gjoja mosangazhimin tim në vitet e fundit (sic!). Unë asnjëherë s’kam qenë i gatshëm të “shtyhem me bërryla” brenda organizatës; le të merret kjo si të dojë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai shtoi se ishte i gatshëm që ta ndërprej angashimin e tij profesional që investoi mbi dy dekada shkollim për kandidim, e për këtë thotë se do të duhej të shihej si sakrificë.

“Kam investuar mbi dy dekada shkollim deri në profesionin tim, me tepër mund, dhe gatishmëria ime për ta ndërprerë angazhimin profesional qoftë edhe përkohësisht për shkak të kontributit për Lëvizjen mendoj se do duhej të shihej si  sakrificë.

Në këto rrethana, duke i falënderuar nga zemra të gjithe aktivistët, shokët e qytetarët që kanë mirëpritur e inkurajuar kandidimin tim potencial, njoftoj se unë nuk do të jem kandidat. Sidoqoftë shpresoj që kandidati i levizjes kushdo qoftë të krijojë frymë bashkimi, bashkëpunimi e harmonie, e jo të kundërtën, dhe kështu gara në Vushtrri do të fitohet pa balotazh. Suksese!”, shtoi Krasniqi.

Kujtojmë se Krasniqi ishte i përfolur kohëve të fundit si kandidat i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vushtrrisë. Ai madje përmes një statusi kishte shprehur gatishmërinë që t’i hyjë garës për ta udhëhequr këtë komunë.

Të ngjashme