Asambleja e OKB-së i bën “bashkë” Osmanin e Vuçiqin

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York ku do të marrë pjesë në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ajo do të marrë pjesë krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Gjatë qëndrimit në New York, Osmani në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

E para e vendit do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës në New York, presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Në New York do të jetë edhe homologu i saj, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Debati i përgjithshme në këtë sesion të OKB-së nis sot në orën 15:00 sipas kohës tonë lokale.

Ndërkaq sesioni i 77-të zgjat deri më 26 shtator ku përpos Ukrainës dhe temave tjera aktuale temë e diskutimit pritet të jetë edhe Kosova.

Të ngjashme