Asamblistët e VV-së në Gjilan kapen mes vete, LDK ndërhyn: Problemet e partisë leni jashtë

Prishtinë | 15 Sht 2022 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Një përplasje ka ndodhur mes asamblistëve të Vetëvendosjes në Gjilan, Ismajl Kurteshit dhe kryesuesit, Arianit Sadiku. Ish-deputeti i Vetëvendosjes, tani asamblist në Komunën e Gjilanit, Ismajl Kurteshi ka shpërthyer me nervozizëm ndaj kryesuesit të kuvendit Arianit Sadiku i cili vjen po ashtu nga e njëjta parti.

“Qu prej atyhi e le dikë që i del zot atij vendi”, ka deklaruar Kurteshi me nervozizëm pasi Arianit Sadiku ia ka dhënë dy minuta kohë për të folur jashtë rendit të ditës shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliut.

Kjo e kishte acaruar shumë Kurteshin. Ai i thotë bashkëpartiakut që po ia shqetëson nervat e po e bën hallakam.

“Çka është kjo punë, nuk ka të drejtë askush me ndërhy në seancat që vazhdojnë. Ku kemi mbetë aty vazhdojmë. Nëse e ke shok Avdylin, pas seancës, në seancë vetëm sipas rregullores. Mos ia nxirr fundit, po na shqetëson nervat e po na bën hallakamë”, u shpreh Kurteshi.

Ndërsa, shefi i grupit të LDK-së, Avdyl Aliu, i tha Kurteshit që problemet partiake t’i zgjidhin jashtë Kuvendit Komunal.

“Nervat edhe problemet partiake që i keni i leni të dera jashtë. Mos i sillni këtu brenda”, tha Aliu.

Pas kësaj përsëri ka reaguar Kurteshi duke i kërkuar kryesuesit t’ia ndalë fjalën. “Mos ia nxjerr bishtin. Ndalja fjalën”, tha Kurteshi.

E kryesuesi ia kthen shumë shkurt “Baca Sami a e kryve”.

Të ngjashme