Asamblistja Bejta: Komuna s’i dha leje projektit në Badovc

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fitnete Bejta, ka thënë se sipas informatave brenda Komunës, projekti për ndërtim pranë liqenit të Badovcit nuk gëzon leje sepse nuk ka aplikuar për një gjë të tillë.

Në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova, ajo ka thënë se mendohet që ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka dhënë pëlqimin për projektin në fjalë, por që nuk e ka konfirmuar.

“Ne e kemi për detyre t’i përkrahim investitorët vendorë. Nga aspekti i asamblistit duhet t’i respektojmë planet dhe rregulloret që i miratojmë vet. Por tek plani zhvillimor urban dhe rregulloret e tjera që e trajtojnë këtë çështje siç është rasti tek liqeni artificial i Badovcit – ne duhet të jemi të kujdesshëm”.

“Badovci është një aset për qytetarët e Prishtinës dhe ne duhet ta trajtojmë asi soji. Ministria e Planifikimit Hapësinor duhet t’i respektojë këto rregullore ku ndalohet ndërtimi në liqenet akumuluese për ujë të pijshëm në Prishtinë”.

“Sipas informatave brenda Komunës, një projekt i tillë nuk gëzon leje sepse nuk ka aplikuar për një gjë të tillë”.

“Sipas ndërmarrjes që mendon të investojë, mendohet që pëlqimin për ndërtim e ka dhënë ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – edhe pse nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë”.

“Unë shpresoj që këtë gabim Komuna dhe Ministria mos ta bëjnë sepse mundësitë akumuluese që i ka ky liqen nuk e përmbushë kërkesën e madhe të qytetarëve të Prishtinës për ujë të pijshëm. Në kemi nevojë për burime shtesë dhe jo për t’i minimizuar ato”.

Të ngjashme