Asgjësohet materiali zgjedhor i 11 qershorit

Prishtinë | 29 Gus 2017 | 10:27 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka nisur asgjësimi i fletëvotimeve dhe materialeve të tjera, të përdorua në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, raporton Ekonomia Online.

Materialet zgjedhore, është asgjësuar nga një kompani e kontraktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ). Nga asgjësimi përjashtohet materiali zgjedhor i cili është objekt i hetimeve të Prokurorisë.

Valdete Daka, kryetar e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë se kjo është faza e fundit për zgjedhjet e kaluara dhe se sot do të shkatërrohet i gjithë materiali zgjedhor.

Daka tha se do të bëhet shkatërrimi i gjithë materialit, përveç disa kutive të disa vendvotimeve të cilat Prokuroria dhe PZAP-i kanë kërkuar qe të mos shkatërrohen pasi duhen për hetim.

Ajo nuk tregoi numrin e kutive të cilat janë pjesë e hetimit nga Prokuroria. Ndërsa tha se kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe gjithçka sipas saj, është duke shkuar sipas planit, raporton EO.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, më 11 qershor, kanë garuar 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare, me mbi 900 kandidatë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të KQZ-së thuhet se numri i votuesve të regjistruar është 1.888.059, ndërsa numri i votuesve të cilët kanë votuar në secilin vendvotim është 747,228. Numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit është 32,501, derisa pjesëmarrja në votime është 41.30%.

Të ngjashme