AShAK: Dialogu me Serbinë s’është prioritet, fokus lufta kundër pandemisë

Prishtinë | 06 Gus 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka thënë se është e shqetësuar me situatën e krijuar nga pandemia.

ASHAK-u ka bërë thirrje që institucionet shtetërore të fokusohen në luftën për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Sipas tyre, dialogu me Serbinë nuk është prioritet në këtë kohë dhe se një proces i tillë po përdoret vetëm për poenë politikë për konsum të brendshëm.

“ASHAK gjithashtu konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën. Kosova nuk e ka asnjë emergjencë të merret me dialogun në rrethana të këtilla dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëjë dialogun çështje të preokupimit themelor të institucioneve shtetërore. Të gjitha kapacitetet shtetërore dhe politike duhet t’i përqendrojë në tejkalimin e situatës së pandemisë”, thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë:

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është duke ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në vend nga pandemia COVID-19, veçmas ditëve të fundit, kur vdekjet dhe infektimet e reja janë shtuar në përmasa të alarmante. Kjo situatë e ka bërë Kosovën vend i izoluar, në të cilin kanë dështuar jo vetëm institucionet e shëndetit publik, të rendit dhe të ligjit dhe të mirëmbajtjes së shoqërisë, por edhe vetëdija qytetare, përgjegjësia kolektive dhe vlerat e emancipimit shoqëror.

Tashmë jemi dëshmitarë se situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit, se gjendja e prezantuar dhe e njohur publikisht nuk i përgjigjet situatës reale, e cila është shumë më e rëndë, është e padetektuar, e padeklaruar, ose është duke u fshehur qëllimisht. Është e qartë se sistemi shëndetësor i Kosovës ka dështuar në të gjithë përbërësit e tij, duke filluar nga kuadri profesional i nënçmuar dhe i nënvlerësuar dhe deri te ndërhyrja e vazhdueshme politike në menaxhment dhe operativë mjekësore dhe shëndetësore. E gjithë klasa politike, të gjitha qeveritë e pasluftës janë përgjegjëse për gjendjen e krijuar dhe nuk i amniston as koha e shkurtër apo e gjatë, as koha e largët ose e afër e qeverisjes.

Duke e parë këtë gjendje, ASHAK konsideron se në këtë rrethanë klasa politike e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi, duke i përqendruar të gjitha resurset politike dhe institucionale për menaxhimin e situatës së pandemisë, se ata duhet t’i ulin tensionet dhe konfliktet e ndërvetshme, të gjejnë minimumin e konsensusit dhe të mos i përdorin konfliktet politike si mënyrë për të qëndruar në pushet. Situatën e emergjencës kombëtare duhet ta ndjejnë të gjithë, në rend të parë bartësit e institucioneve më të larta të vendit, sepse atyre iu bie përgjegjësia kryesore për gjendjen e krijuar.

ASHAK gjithashtu konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën. Kosova nuk e ka asnjë emergjencë të merret me dialogun në rrethana të këtilla dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëjë dialogun çështje të

preokupimit themelor të institucioneve shtetërore. Të gjitha kapacitetet shtetërore dhe politike duhet t’i përqendrojë në tejkalimin e situatës së pandemisë.

ASHAK me këtë rast fton qytetarët të mos përfshihen nga mungesa elementare e vetëdijes dhe e vigjilencës, sepse shteti dhe institucionet e tij nuk do të jenë në gjendje t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që do të kenë nevojë për të. Vetëdija dhe vigjilenca qytetare imponohet si domosdoshmëri e emergjencës kombëtare, në të cilën tashmë është përfshirë Kosova për shkak të pandemisë.

Për Kryesinë e ASHAK

Akademik Mehmet Kraja

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme