Ashton ia kujton Presidentit Thaçi që kishte vija të kuqe në Bruksel

Prishtinë | 10 Kor 2018 | 12:26 | Nga

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë tha se Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë marrëveshjet e arritura vite më parë. Ajo ka përmendur se gjatë kohës sa ajo ka ndërmjetësuar ka pasur vija të kuqe. Presidenti Thaçi pas kthimit nga takimi i fundit në Bruksel tha se nuk do të ketë vija të kuqe gjatë fazës finale të bisedimeve.

Ashton tha se “Qëllimi ynë në Marrëveshjen e Brukselit të prillit të vitit 2013, ishte të përmirësojmë jetën dhe mundësitë për popullin e Kosovës dhe Serbisë. Ne pranuam se e ardhmja e të dy vendeve është në Bashkimin Evropian dhe kjo marrëveshja e parë ishte t’i ndihmonin ata të zgjidhnin problemet dhe të bënin ndryshime që do t’i ndihmonin ata të ecnin përpara”, transmeton televizioni publik raportimin e European Western Balkans.

Sipas Ashton, “ajo duhet të zbatohet në tërësi dhe ata duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku, përfshirë presidentin Vuçiq dhe presidentin Thaçi, të cilët kanë krijuar një marrëdhënie të rëndësishme pune”.

Shumica e ekspertëve pajtohen se dialogu Kosovë-Serbi është kryer duke përdorur parimin e “dykuptimësisë konstruktive” ku marrëveshjet u lanë të dykuptimta dhe interpretoheshin ndryshe nga të dy palët.

Sipas Ashtonit, “secila palë solli në diskutime linjat e tyre të kuqe, zona të cilat ata nuk mund të kalonin dhe ne i respektuam ato”.

Siç shpjegon ajo, “ka shumë shtete që u bëjnë thirrje atyre për sukses dhe janë të gatshëm për të ndihmuar. Ne të gjithë duam rezultate që kanë kuptim, respektojnë njëri-tjetrin dhe që janë në interesin më të mirë të popullit”.

Ashton do të mbajë fjalim sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor të Londrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme