Asnjë koalicion s’ka aplikuar për certifikim, nëse një parti tërhiqet i pamundësohet garimi

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 11:42 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dy koalicione janë lidhur zyrtarisht kur kanë mbetur edhe më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton Ekonomia Online.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fillimisht u bashkua me Partinë Socialdemokrate, kurse Nisma me Aleancën Kosova e Re (AKR).

Afati për aplikim për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar gjatë së martës, përderisa në këtë institucion nuk kanë pranuar asnjë aplikim nga dy koalicionet e deklaruara zyrtarisht.

Afati i fundit për aplikim është deri ditën e premte më 30 gusht, i tha Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Afati ka filluar gjatë ditës së djeshme, deri më tani nuk kemi pasur ndonjë deklarim të ndonjë koalicioni dhe sigurisht do të presim deri në përfundim të këtij afati”.

Sipas tij, paritë politike të cilat nuk njoftojnë se do të garojnë në zgjedhje si pjesë e koalicionit, ato nuk mund të aplikojnë pas këtij afati.

“Është detyrim ligjor për Partitë Politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes Koalicionit që ta deklarojnë në KQZ koalicionin e tyre”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vendosur afatin e fundit datën 30 gusht, deri në orën 24:00, për deklarim të partive politike që kërkojnë certifikim përmes Koalicionit”.

“Paritë politike të cilat nuk njoftojnë se do të garojnë në zgjedhje si pjesë e koalicionit, ato nuk mund të aplikojnë për koalicion pas këtij afati”.

Elezi më tej ka sqaruar se Ligji për Zgjedhjet specifikon qartë se partitë që deklarohen se do të garojnë përmes koalicionit pas datës 30 gusht nuk mund të garojnë si të vetme.

“Duhet ta kemi parasysh se Ligji për Zgjedhjet ka disa detyrime për partitë politike që kërkojnë të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit: së pari, partitë politike që deklarohen se do të garojnë përmes koalicionit pas datës 30 gusht nuk mund të garojnë si të vetme në këto zgjedhje”.

Por ai ka shtuar se partia politike edhe nëse tërhiqen nga koalicionet nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje e as të garojnë më ndonjë parti tjetër, raporton EO.  

“…ndërsa dyti, partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni nuk mund të garojë si e vetme e as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Pjesa e mbetur e koalicionit mund të marrë pjesë në zgjedhje”.

“Dhe së fundmi, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje në emër të ndonjë koalicioni, duhet të deklarojnë edhe partnerët e tjerë të atij koalicioni deri në afatin e përcaktuar, pra njoftimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë partnerët e koalicionit”. 

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 6 tetor, kurse fushat zgjedhore do të mbahet 25 shatorit deri më 4 tetor.

Të ngjashme