Asnjë njohje e re – dialogu me Serbinë pengesë, kërkohet angazhim për lobim

Prishtinë | 12 Qer 2022 | 10:07 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeverinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të angazhohen maksimalisht për të lobuar për njohjen e pavarësisë së vendit nga shtetet që ende kanë dilema për shtetësinë e Kosovës.

Krejt kjo sipas njohësve të çështjeve politike në  vend, ngase Serbia nuk është ndalur asnjëherë duke kërkuar çnjohjen e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se pas skadimit të marrëveshjes së Uashingtonin, institucionet kanë filluar fushatën e lobinit për njohje dhe anëtarësim, por që kjo nuk është e nevojshme.

Ai shton se aktivizimi i Ministrisë së Jashtme është i domosdoshëm sidomos në këtë fazë.

“Fushata e Serbisë për eliminimin e njohjeve ose çnjohjeve të shteteve që e kanë njohur Kosovën ka qenë e vazhdueshme, megjithëse me një heshtje ose me një formë më të sofistikuar pas marrëveshjes që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë në mes të Avdullah Hotiti në atë kohë, presidentit amerikan Trump dhe Vuçiq për një moratorium një vjeçar ku obligoheshin dy vendet që Kosova mos të loboi për njohje, përderisa Serbia të mos loboi për çnjohjen e njohjeve tashmë të arritura”.

“Pas aktivizimit ose pas kalimit të këtij afati të 4 shtatorit kur veç u bë një vit dhe Kosova veç filloi për t’i shikuar mundësitë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ku kohët e fundit për aplikim në Këshillin e Evropës e kemi parë një zgjim ose një reagim publik ose një aktivizim publik i Serbisë për të lobuar të vendet të cilat për një arsye ose një arsye tjetër janë më të ndikues nga ndikimi serb për të kërkuar çnjohën e Kosovës kjo nuk është diçka e panjohur, po është një obligim shtesë për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Jashtme që shumë më shumë të aktivizohet shumë më shumë, të vizitojë shumë më shumë vende me prezantimin e Kosovës për atë çfarë është dhe për rrugën që e ka zgjedhur Kosova”, tha Jashari.

Megjithatë, ai shtoi se ekziston frika që procesi i njohjeve do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.

Mes tjerash, Jashari potencoi se duhet forcim i lidhjeve me ShBA, sepse kohëve të fundit ka një zbehje të raporteve dhe distancim për çka nuk i bënë mirë vendit.

“Mendoj se do të ishte ndikimi i madh megjithëse unë kam frikë se ky proces lidhet me procesin e dialogut që lidhet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkesave që ka bashkësia ndërkombëtare ka në adresë të Qeverisë së Kosovës për disa tema e që duket s’mund të jenë pengesë në rrugëtimin e Kosovës drejt njohjeve të reja ose ruajtjen e atyre njohjeve që veç i kemi lidhet me finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi lidhet me zbatimin e vendimeve të Gjykatave Kushtetuese që i kemi në raport me Manastirin e Deçanit dhe termat tjera që kanë të bëjë me Asociacionin dhe krejt çka mbetët është forcimi i lidhjeve me aleatët tanë në këtë rast me Shtete e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ndërsa, profesori i Shkencave Politike, Dorajet Imeri theksoi se Serbia po angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që në çdo formë të pengoj procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

Ai theksoi se Kosova akoma nuk e ka marr numrin më të madh të njohjeve, duke shtuar se kjo mund të ketë efekte sa i përket çnjohjeve.

“Ne me Serbinë kemi një kontest të hapur. Serbia angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që në çdo formë të pengoj procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe në këtë aspekt sigurisht se edhe procesi i çnjohjeve nga disa shtete të cilat janë shumë të largëta me të cilën diplomacia kosovare ose partnerët e saj e kanë vështirë të qasen është shumë e madhe. Prandaj fillimisht kemi të bëjmë me një koncept që nuk është shumë i trajtuar në të drejtën ndërkombëtare, sepse njohja paraqet një akt të pakthyeshëm të cilin e bëjnë shtetet në mënyrë të vetëdijshme dhe ai është konstatimi i një fakti të ri të krijuar. Kosova nuk është se ka bërë kthim prapa, vazhdon të jetë shtet që e ka shpallur dhe e mirëmban shtetësinë e saj por se mbetet akoma e hapur ajo perspektiva teorike se kur një shtet konsiderohet i përmbyllur, kur një shtetësi konsiderohet e përmbyllur dhe kur jo”.

“Çnjohja është shprehje e vullnetit politik të shteteve, por ne nuk mund të flasim për një shtet që ka konsoliduar shtetësinë e saj, nuk mund të flasim për çnjohje për atë shtet, po flasim për problemin e Kosovës që akoma ndoshta nuk është pjesë e organizatave ndërkombëtare, flasim për Kosovën që akoma nuk e ka marr numrin më të madh të njohjeve të anëtarëve të Bashkësisë ndërkombëtare dhe këtu mund të na u shfaqet problematika dhe efekti i çnjohjeve”, tha Imeri.

Sipas tij, përmes çnjohjeve që mund të vijnë nga shtetet që kanë qëndrim ndryshe për situatën e Kosovës mund të dobësohet pozita e vendit dhe në këtë mënyrë të pengohet konsolidimi i shtetësisë. 

“Ne kemi shumë shtete në botë që janë me prirje autoritariste të cilat kanë një strukturë politike jo demokratike që nuk e njohin konceptin perëndimor të krijimit të shtetit. Ato të njëjtat mund ta shkruajnë dhe nënshkruajnë një dokument të shtyrë nga korrupsioni, nga shantazhet, interesat që vinë nga Serbia e cila nuk përton t’i përdor të njëjtat, dhe mund të na paraqes problem në këtë aspekt. Për aq kohë sa ne kemi pasur disa letra nga shtete të tilla që kanë vepruar kësisoj tregon se ato kanë ndryshuar vullnetin e tyre politik dhe në këtë mënyrë e kanë vendosur një vend para një fakti të kryer tashmë. Përmes çnjohjeve që mund të vijnë nga shtetet që kanë qëndrim ndryshe për situatën e Kosovës mund të dobësohet pozita e Kosovës dhe në këtë mënyrë të pengohet konsolidimi i shtetësisë së saj”. 

Të ngjashme