Asnjë parti e kandidat nuk certifikohet për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Të dielën e 29 nëntorit, do të mbahen zgjedhje të parakohshme, në dy komuna të Kosovës.

Qytetarët e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, do t’u drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur të parin e komunës.

Për dallim nga Podujeva, në Mitrovicën e Veriut, ende nuk dihet se kush do të garojë.

Kjo për shkak që deri më tani, asnjë parti politike, e as iniciativë qytetare nuk kanë aplikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u cerfikuar për garën e 29 nëntorit.

Për më keq, kanë mbetur vetëm dy ditë afat që një gjë e tillë të bëhet.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmon për Gazeta Blic, se afati i fundit për cerifikimin e garuesve për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, përfundon pas dy ditësh – saktësisht me 30 tetor.

Një certifikim i tillë nuk vlen për Komunën e Podujevës, pasi që kjo procedurë ka përfunduar në shkurt të këtij viti, pasi që LDK ka certifikuar Nexhmi Rudarin si kandidat, LVV – Shpejtim Bulliqin dhe PDK – Naim Fetahun.

“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë aplikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar Komunë në Mitrovicën e Veriut. Afati përbyllet pas dy ditësh. Subjektet politike (partitë politike, iniciativat qytetare, koalicionet dhe kandidatët e pavarur) kanë afat që deri më 30 tetor, në orën 18:00, të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.Për zgjedhjet në Podujëve nuk ka një proces të tillë për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve garues, sepse do të vlejë certifikimi nga ana e KQZ-së i datës 20 shkurt 2020, sipas të cilit janë 3 kandidatë që garojnë për kryetar të kësaj komune”, ka thënë Elezi.

Arsyeja e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut, është dorëheqja e kryetarëve të komunave.

Agim Veliu pati lënë postin e kryetarit të Komunës së Podujevës, për t’u bërë Ministër i Punëve të Brendshme në Qeveri, teksa Goran Rakiq la detyrën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, për t’u bërë zv/kryeministër në Qeverinë Hoti.

Sipas vendimit të disa ditëve më parë të KQZ-së, fushata për zgjedhjet në këto dy komuna, do të zgjas pesë ditë, teksa dita kur qytetarët do të votojnë do të jetë e diela e 29 nëntorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme