LDK: Me metoda të nëntokës e montazha po shpifet kundër Vjosa Osmanit

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka quajtur montazh dhe shpifje e radhës nga oponentë politikë dhe mediat e tyre, kundër kandidates së kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.

“Në vazhdën e panikut që i ka kapluar nga humbja në zgjedhje, kur fitorja e LDK-së dhe Vjosa Osmanit po afrohet në zgjedhjet e 6 tetorit, ata po bëjnë montazha të tilla dhe po i publikojnë në mediat e tyre”, thuhet në një reagim të LDK-së.

LDK thotë se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të denoncuar shpifje të tilla për publikimin e montazhës se kinse Vjosa Osmani paska folur me dikë në rrjete sociale.

“I njoftojmë qytetarët e Kosovës se përmbajtja e kësaj bisede është montuar dhe e falsifikuar”.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nënkryetarët Agim Veliu e Lutfi Haziri, ju bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave të nëntokës, të cilët po i numërojnë orët e fundit në pushtet. Kryetari dhe nënkryetarët e LDK-së i garantojnë të gjithë qytetarët e Kosovës se kandidatja Vjosa Osmani e ka mbështetjen e plotë dhe të parezervë të të gjitha strukturave dhe anëtarëve të partisë”.

Më ketë mbështetje kandidatja jonë do të fitojë bindshëm më 6 tetor për të vendosur një praktikë të re qeverisëse, e jo praktika të tilla, si kjo e sotmja, që ishte me metoda të ndyra.

“I rikujtojmë qytetarët se ky lajm vjen një ditë pasi ata morën një goditje nga Ambasada Amerikane dhe vendet e Quint-it që thanë se nuk kanë preferencë për zgjedhjet e 6 tetorit, por mbështesin vullnetin e qytetarëve”.

Përkitazi me rastin e sotëm LDK-ja do të dorëzojë ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara, në Polici dhe Prokurori.

“LDK përkrahë mediat dhe fjalën e lirë, por i kundërshton praktikat kur mediat përdorin metoda abuzive, montazha dhe shpifje, sikur kjo e sotmja kundër Vjosa Osmanit”, përfundon reagimi i LDK-së.

Të ngjashme