Autostrada e Dukagjinit – ‘Thika’ e parë e LDK-së mbi program

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse, i gjithë spektri politik në Kosovë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit për të mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër, tema për Autostradën e Dukagjinit po rikthehet përsëri në tryezën e diskutimit.

Kësaj radhe ndërmjet dy partnerëve të mundshëm të qeverisë së re, LDK-së dhe AAK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

Në letrën e marrëveshjes për bashkëqeverisje, nga AAK-ja është vënë kusht edhe ndërtimi i autostradës së ‘Dukagjinit’.

“Rishikimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës në mënyrë që të korrigjohen gabimet serioze në ndarjen selektive buxhetore dhe përfshirjen e kodit për investime kapitale me theks për Autostradën e Anamoravës dhe Dukagjinit dhe përshpejtimin e punimeve në pjesën e mbetur të autostradës Prishtinë-Pejë, në segmentin Kijevë-Zahaq”, thuhet në letrën e kryetarit të AAK-së, i cili përmend kushtet për përkrahjen e qeverisë të cilës pritet të prij LDK.

Por, siç duket, dy partitë që synojnë të formojnë qeverinë e re, kanë qëndrime të kundërta për Autostradën e Dukagjinit. Sot, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së deputetëve të kësaj partie me kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti, ka treguar përmbajtjen e programit qeverisës të LDK-së me partnerët e saj.

AAK-ja ka kërkuar që të realizohet projekti i Autostradës së Dukagjinit, të cilën e ka anuluar Ministria e Infrastrukturës nën drejtimin e LDK-së gjatë Qeverisë Kurti.

Gashi thotë se ky projekt, edhe pse e ka kërkuar partneri i saj, nuk është prioritet dhe është pezulluar, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.

“Projektet madhore infrastrukturore nuk janë prioritetet e para të kësaj Qeverie. Prioritetet e kësaj Qeverie do të jenë lufta e Covid-19, përballimi dhe rimëkëmbja ekonomike. Projektet madhore do të shikohen me mundësi të financimit të jashtëm. Ajo do të mbetet pezull përderisa nuk e kemi të qartë se si do të shkojë ekonomia. Jemi të harmonizuar me partnerë për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë sot, Gashi.

E, lidhur me këtë, më parë është deklaruar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku. Ai ka theksuar se kjo autostradë nuk do të ndërtohet, por se do të ketë vetëm zgjerim të rrugës aktuale.

Në një konferencë për media, Abdixhiku kishte thënë se është paraparë vetëm zgjerimi i rrugës aktuale dhe se mjetet në fjalë do të shkojnë për projekte të tjera infrastrukturore.

“Tashmë është e qartë se prioritetet e Qeverisë janë që çdo autostradë në vend të ndërtohet me kredi të jashtme, por përveç kësaj ne kemi plane të tjera për Dukagjinin edhe për qytetarët e Kosovës. Në vend të ndërtimit të një autostrade të tillë, ne kemi paraparë që të bëjmë zgjerimin e rrugës aktuale dhe mjetet në fjalë t’i alokojmë në projekte të tjera infrastrukturore, jo vetëm në Regjionin e Dukagjini, por në gjithë Kosovën”, kishte Abdixhiku.

Edhe kryetrari i LDK-së, Isa Mustafa kishte deklaruar se autostradat nuk do të jenë pjesë e agjendës qeveritare, të paktën brenda këtij viti.

“Sa i përket autostradës, nuk shoh asnjë mundësi që sivjet do të merremi me autostradë këtë vit. Ndoshta të gjitha mjetet që i kemi destinuar ne për investime kapitale, duhet të kthehen në rimëkëmbje ekonomike edhe në shërbim të shëndetësisë, çka bëhet më vonë është çështje që duhet të diskutohet me AKK-së dhe të tjerët sesi do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të arsyeshme për gjitha projektet në të mirë të Kosovës”, kishte thënë Isa Mustafa.

Edhe kandidati për kryeministër i këtij koalicioni të mundshëm, Avdullah Hoti kishte thënë se projekti i Autostradës së Dukagjinit nuk do të jetësohet. Ai kishte deklaruar se ai projekt është i gabuar dhe në vend të saj qytetarët e asaj ane do të përfitojnë nga zgjerimi i rrugëve aktuale.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme, ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë, sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zonë ekonomike”, ka deklaruar Hoti.

Kundërshtim për Autostradën e Dukagjinit kishin shprehur edhe disa kandidat për deputetë të tjerë të LDK-së.

Ndërkohë, në taborin tjetër, nga AAK-ja ishte deklaruar, ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj. Ai kishte thënë se AAK-ja nuk kanë hequr dorë nga ky projekt, e që për këtë thotë, se ia kanë bërë me dije edhe LDK-së.

“Ne ua kemi bërë me dije edhe LDK-së si e mandatuar për të udhëhequr qeverinë e re të Kosovës se nuk do të hjekim dorë nga materializimi i këtij projekti gjigand e domethënës për 30% të territorit dhe ekonomisë së vendit tonë, e cila është jetike që të lidhet me pjesën tjetër të vendit tonë por edhe me rajonin dhe korridoret Evropiane, por në të njëjtën kohë, nuk do të insistojmë që të lëvizim mjete nga kodet buxhetore për situatën e pandemisë, në ketë vit buxhetor”, kishte thënë Lekaj.

Të ngjashme