Avdullah Hoti e liron nga detyra zëvendësministrin e Listës Serbe

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Milan Radojeviq kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut i fitoi zgjedhjet e 29 nëntorit. I njëjti për këtë pozitë kandidoi sa ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Dje kryeministri Avdullah Hoti mori vendim për lirimin e tij nga kjo detyrë, teksa nga Qeveria konfirmuan për Express, se kjo u bë me kërkesë të tij, shkruan Gazeta Express.

“Ai është liruar nga detyra sepse ai është zgjedhur kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut. Për të marr detyrën e kryetarit të komunës ai duhet te lirohet nga detyra e zv/ministrit të Punëve  të Brendshme. Është procedurë e rregullt sepse në raste të tilla është e paraparë me ligj” ka thënë zëdhënësja e Qeveria, Antigona Baxhaku për Express

E këtë kërkesë ai e ka bërë përmes një letre dërguar kryeministrit.

“Përndryshe ai përmes një letre i ka kërkuar KM-së të lirohet nga detyra e zv/ministrit që të mund të marr detyrën e kryetarit të komunës”, ka thënë më tutje ajo.

Në ndërkohë në zgjedhjet e 29 nëntorit, Milan Radojeviq nga Lista Serbe doli fitues në Mitrovicën e Veriut me 89.5% të votave.

Ai lë pas kandidatin e VV-së, Erden Atiq me 4% të votave dhe atë të PDK-së, Florent Azemi me 3.6%.

Të ngjashme