Avokati i Popullit: Institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 10:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka mbajtur tryezën me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur”?, raporton Ekonomia Online.

E pranishme në këtë tryezë ishte aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq. Por prezenca e saj irritoi kryetarët e shoqatave për persona të zhdukur, të cilët lëshuan sallën. Ata kritikuan përfaqësuesit e institucioneve të shtetit për mosprezencën e tyre në këtë mbledhje.

Kandiq foli për kohën kur ka qenë për herë të parë në Kosovë. Ajo tha se ka parë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Sot jemi të gjithë këtu më kuvend. Në vitin 2008 ishte hera e parë kur isha në këtë kuvend dhe kam qenë e pranishme për shkak të vetë viktimave, kam parë se çka ka ndodhur në Kosove. Kam parë kolona të shumë njerëzve që kanë ikur, varreza masive. Kam menduar që atë se çka kam parë është e mjaftueshme që të kemi një qëndrim që viktimat e qytetarët duhet t’i kenë institucionet që merren me të drejtat e viktimave e familjarët që të sjellin drejtësinë”.

“Unë jam hulumtuese. Nuk jam politikane. Mendoj që nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, tha se përpjekjet po vazhdojnë edhe në nivel të dialogut të Brukselit që të sigurohet një trajtim humanitar i kësaj çështjeje.

“Kur kryeministri Kurti më ftoi me marrë këtë detyrë e pranova, si detyrim njerëzor për ta zbuluar të vërtetën. Mirëpo sot, pas 8 muajsh, unë jam i zemëruar e i pakënaqur, me gjithë punën e të gjithëve që nuk kemi arritur ta mbyllim këtë çështje”, u shpreh Hoti.

“Vazhdojnë përpjekjet, jo vetëm në nivel të grupit punues, por edhe në nivel të dialogut të Brukselit që të sigurojmë një trajtim humanitar të kësaj çështjeje”, tha Hoti, babai i të cilit Ukshin Hoti konsiderohet ende i zhdukur.

“Serbia ende nuk ka hequr dorë nga krimet e saj ndaj popullit të Kosovës. Jo vetëm që s’ka kërkuar falje për masakrat, vrasjet e përdhunimet. Kemi kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe duke detyruar t’i hapur arkivat e saj shtetërore të luftës së saj në Kosovë”, tha tutje Hoti.
Hoti tha se me mbi 2700 hulumtime e lokacione janë gërmuar në Kosovë, ndërsa vetëm 5 në territorin e Serbisë.

E Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si institucion kanë konstatuar se institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Është një konstatim që në këtë vit, Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin e tij vjetor, me të cilin ka konstatuar që institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës”.

“Pjesa më e rëndë është fati i të pagjetur për shkak të specifikave që i ka kjo dukuri dhe pasojave që ka shkaktuar. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të luftës, Qeveria e Kosovës në vitin 2011 pat themeluar Institutin për Krime të Luftës. Me qenë të sinqertë, përkundër punës nuk ka arritur ta përmbush qëllimin për çka është krijuar”, tha Qelaj.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet për këtë kategori.

“Ne dimë se kush ka bërë masakra. Nuk kemi bërë shumë si Kosovë për ju. A mendoni se ka ardhur koha për me i qitë krejt në tavolinë. Unë mendoj se duhet me shku në Beograd, sepse ne jemi viktimat. Unë e respektoj dhimbjen, respektoj çdo aksion që keni bërë. Nëse kam bërë një gabim kërkoj falje publikisht. Deri sot asgjë konkrete s’kemi bërë”, tha Balje.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kërkoi që bashkërisht si institucione të angazhohen e t’i dëgjojnë familjarët për së afërmi për nevojat e tyre

“Është njëra ndër temat më të vështira që ende i diskutojmë, për arsye se kemi ende një numër të atyre që nuk e dimë fatin e tyre. Duhet ndoshta të fillojmë të mendojmë bashkërisht si institucione të vendit, se bashku me familjarët që të angazhohemi e t’i dëgjojmë familjarët për së afërmi në nevojat e tyre”, tha ajo.

“Si komision duhet ta luajmë një rol më aktiv në këtë çështje, jo vetëm për t’i monitoruar Qeverinë apo mekanizmat tjerë rreth mënyrës se si është duke u proceduar. Por çka mund të bëjmë specifikisht, si Kuvend, në këtë drejtim? Ligji për persona të zhdukur ende duhet të trajtohet”, tha Bogujevci.

E Bajram Qerkini nga Shoqata “Zëri i Prindërve”, foli për vështirësitë që i kanë si familjarë. Tha se për çdo përvjetor vajtojnë familjarët për të pagjeturit e tyre.

“Është vështirë të flitet kur ka familjarë që e kanë zemrën me ankth. Është vështirë me folë pa dokumente, është vështirë m’u paraqit patriot”.

“A do të rrimë tash duke e përmend gjakun a do të rrihmë duke e përpunuar lirinë me politikën tonë me të cilin mjerisht u përzi edhe në pjesën humane”, tha ai.

Graiçevci: S’kemi nevojë të vijë Natasha Kandiq të flasë për luftën në Kosovë, i kemi institucionet tona

Derisa aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, po fliste në tryezën me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pa gjetur?”, organizuar nga Kuvendi i Kosovës, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve janë larguar nga salla, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, Ahmet Graiçevci, në një prononcim për Ekonomia Online jashtë sallës, tha se prezenca e Natasha Kandiqit është e panevojshme, duke theksuar se Kosova i ka institucionet e veta.

“Familjarët si gjithherë janë të irrituar kur Natasha Kandiqi vjen në Kosovë, për shkak se ne kemi institucionet tona, kemi Këshillin dhe liritë e të drejtat e njeriut tona të Kosovës. Ne pse kemi nevojë të vijë Natasha Kandiqi dhe neve të na mbajë ligjëratë, kur ne i dimë më mirë. Ato çka i din ajo nuk i tregon këtu, nuk ta qetë sekretin e shtetit vetë, nuk t’i tregon asnjë vend të varrezave masive në Serbi apo në territore tjera”.

“Ne kemi pritur që do të kemi takim me institucione. E pamë që nuk ishin gjysma si gjithherë. Kësi farë lapsusesh bën Qeveritë e Kosovës”, tha Graiçevci.

“Asnjë qeveri deri sot nuk e ka bërë punën sa duhet e çka është kërkuar. Falë Zotit e kemi pasur një Komision për persona të zhdukur që e ka dhënë kontributin e vet dhe ka punuar aq sa ka mundur dhe aq sa e kanë lejuar kushtet për punë. A sa i përket qeverive, asnjë qeveri nuk e ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim, qoftë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për krimet e luftës, dëmet e luftës… Nuk kanë punuar”, tha ai.

Të ngjashme