Avokati i Popullit: Në pikëpyetje kushtetutshmëria e Ligjit të pagave shkaku i pabarazisë

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Ligji për Pagat me shumë gjasë do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

30 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik që po i shqyrton institucioni i Avokatit të Popullit, kanë bazë të fortë që Kushtetueses t’i kërkohet interpretim ligjor.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se bazuar në këto ankesa vihet në pikëpyetje kushtetutshmëria e ligjit, pasi i njëjti nuk ka arritur qëllimin e të qenët “pagë e barabartë për punë të barabartë”, raporton KTV.

Sipas Jasharit, në mesin e ankesave ka edhe nga sektori i Shëndetësisë, Arsimit e Policisë, pavarësisht se sindikatat e këtyre sektorëve po e kundërshtojnë kushtetuesen. Jashari shtoi se në rast se ky ligj dërgohet në Kushtetuese, kjo e fundit ka mundësinë që të pezullojë vetëm nenet që kontestohen nga sindikatat ose ligjin në tërësi.

Sipas tij, nëse ndodh që ligji të pezullohet i tëri, atëherë nuk do të ketë paga në bazë të koeficientëve të rinj për sektorin publik deri në aktgjykimin e Kushtetueses.

Ndërsa, për mundësinë e pezullimit të neneve që po konsiderohen si diskriminuese, Jashari tha se ligjin nuk e pengojnë të zbatohet.

Sindikata e Arsimit, ajo e Policisë dhe Shëndetësisë nuk po pajtohen që ky ligj të shkojë në Kushtetuese, pasi sipas sindikalistëve, një gjë e tillë do të ishte e padrejtë.

Rrahman Jashari nga SBASHK-u thotë se nëse ndodh një gjë e tillë, shtetin e pret kolaps, me ç’rast do të ketë edhe greva.

Grevë kanë paralajmëruar edhe të pakënaqurit me këtë ligj, Sindikata e Telekomit dhe KEK-ut, të cilët kanë kërkuar që ky ligj të mos nis të zbatohet nga dhjetori për ndërmarrjet publike.

Por, këto reagime sindikaliste për dhe kundër ligjit, po i sheh si ndërhyrje dhe kërcënim institucioni i Avokatit të Popullit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme