Azemi i AAK-së: Zgjedhjet lokale shans i mirë për ta ndal të keqen

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Azemi ka thënë se zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti do të jenë një shans i mirë me e ndëshkua të keqen dhe për t’i treguar secilit që numrat në Kuvend nuk nënkuptojnë se mund të sillesh sipas tekeve dhe interesave personale dhe grupore.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se Vetëvendosje ka dështuar në komunat në të cilat qeverisë.
“Dështimi i kësaj qeverie ka qenë i pritshëm, por dorën në zemër, jo kaq shpejtë dhe kaq keq. Me deklarata skandaloze kundër vlerave tona të përbashkëta, me ndryshimin e qëndrimeve dhe shkeljen e parimeve e premtimeve, me punësime familjare e korrupsion, këta njerëz na bëjnë të qartë se nuk janë për të mirën e Kosovës dhe as të qytetarëve të saj”, ka shkruar Azemi.

Postimi i plotë:
Dështimi i kësaj qeverie ka qenë i pritshëm, por dorën në zemër, jo kaq shpejtë dhe kaq keq. Me deklarata skandaloze kundër vlerave tona të përbashkëta, me ndryshimin e qëndrimeve dhe shkeljen e parimeve e premtimeve, me punësime familjare e korrupsion, këta njerëz na bëjnë të qartë se nuk janë për të mirën e Kosovës dhe as të qytetarëve të saj.
Dështim në Prishtinë, skandale në Prizren dhe një shembull i keq në Mitrovicë, e bëjnë Vetëvendosjen subjekt politik krerët e së cilës pushtetin e shohin si urë lidhëse përmes së cilës pasurohen dhe rehatojnë familjarë. Të kuptohemi, ne nuk kritikojmë punësimin e aktivistëve që e sollën VV-në në pushtet, por si ndodhi që më profesionistët që punësohen, të jenë pikërisht familjarët e klasës sunduese të VV-së.
Zgjedhjet lokale të tetorit janë një shans i mirë për ta ndëshkuar të keqen, janë shans që na mundëson t’i tregojmë secilit që numrat në Kuvend dhe pushteti një partiak, nuk nënkuptojnë se mund të veprosh e sillesh sipas tekeve dhe interesave të ngushta individuale e grupore.
Kjo situatë nuk i bënë nder as pozitës, as opozitës, sepse po dëmtohet Kosova, po dëmtohen komunat, e mbi gjitha qytetari dhe mirëqenia e tij.
Nuk është punë inati, është çështje që duhet të na preokupojë të gjithëve, pa dallime politike.

Të ngjashme