Bahtiri jep garanci se koalicioni VV-LDK ndodh kur Kurti të kthehet nga Berlini

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Agim Bahtiri po deklarohet i sigurt se koalicioni VV-LDK do të ndodhë posa Albin Kurti të kthehet në Kosovë nga Gjermania.

Për këtë çështje, Kryetari i Mitrovicës ka folur edhe më Nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun. Njeriu që ka mundur në tri palë zgjedhje PDK’në në qytetin e ndarë është i bindur se Partia e Kryeministrit të ardhshëm do ta marrë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kryetari i Mitrovicës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri është shprehur i bindur se javën që po hyjmë do të arrihet marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së për qeverisjen e përbashkët në mandatin katër vjeçar.

Bahtiri në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se ka biseduar me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu për të zhbllokuar ngërçin mes dy subjekteve politike.

Ai tutje ka deklaruar se Ministria e Punëve të Brendshme do t’i takojë Vetëvendosjes.

Takimi i ditës së hënë mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk arriti të prodhojë rezultatin e pritshëm për një koalicion mes dy partive. Dy liderët nuk u pajtuan për postin e Presidentit të cilin po e kërkon LDK-ja.

Anëtari i VV-së, Agim Bahtiri tha se koalicioni gjithsesi do të ndodhë.

“Sigurisht që do të arrihet marrëveshja”, u shpreh ai.

Tutje, Bahtiri deklaroi se është takuar me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun me të cilin kanë biseduar që të shtensionojnë situatën që koalicioni mes dy partive të ndodhë.

“Dje jam takuar me Agim Veliun dhe kemi biseduar për këtë çështje dhe marrëveshja do të arrihet”, u shpreh ai.

Kurti dhe Mustafa në parim janë pajtuar që kabineti qeveritar të përbëhet nga 12 ministri, por kanë pasur mospajtime në ndarjen e posteve ministrore.

Ndërsa Bahtiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të mbetet me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ministria e Punëve të Brendshme do ti takojë Lëvizjes Vetëvendosje pikë”, u shpreh Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës tha se posa të kthehet Albin Kurti në Kosovë do të fillojnë bisedimet mes tij dhe Isa Mustafës.

“Jam munduar që ta zhbllokojë situatën dhe mendoj që posa të kthehet Albini nga Gjermania dhe ai besoj që do të kthehet të hënën do të ndodhë takimi mes dy liderëve”, tha Bahtiri.

Në takimin me nënkryetarin e LDK-së, Bahtiri kishte deklaruar se të dy janë munduar që të japin kontribut maksimal për arritjen e marrëveshjes finale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dy partitë kanë pasur takime në nivel të grupeve punuese për harmonizimin e programit qeverisës. Sipas deklaratave të zyrtarëve të VV-së dhe LDK-së, ata janë pajtuar 100% për mënyrën e qeverisjes në mandatin e ardhshëm.

Dje Albin Kurti nga distanca i ka bërë thirrje LDK-së që të ulen për të diskutuar pasi zgjedhjet e gjashtë tetorit kanë qenë sinjal i qartë që qytetarët kanë votuar masovikisht për ndryshim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme