Bahtiri: Presidenti do ta rrëzojë Avdullah Hotin

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka kritikuar qeverinë Hoti se e ka marrë pushtetin në mënyrë të padrejtë.

Ai ka thënë se këtë qeveri e ka formuar presidenti Hashim Thaçi për ta arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka deklaruar se në fund kjo qeveri do të rrëzohet nga Hashim Thaçi. “Unë mendoj se këtë qeveri e ka bërë në mënyrë taktike presidenti Hashim Thaçi për qëllime personale. Do të shihni në fund se si do të bjerë kjo qeveri dhe do të shihni të gjithë se kush do tashkarkojë. Pra, ai që e ka formuar këtë qeveri, ai do ta shkarkojë porsa ta përfundojë puna e vet”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka vlerësuar se qeveria Hoti vetëm do ta zbatojëplanin e presidentit në procesin e negociatave me Serbinë.

“Kjo qeveri është e kapur. Kjo qeveri ka përfituar prej situatës dhe e ka grabitur pushtetin pa të drejtë. Kjo qeveri nuk bën asgjë tjetër përveç zbatimit të planit të Hashim Thaçit i cili synon që brenda mandatit të vet të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Kjo qeveri ka rrëzuar një qeveri legjitime, e cila ishte vullnet i qytetarëve dhe e cila kishte filluar të punojë mjaft mirë. Kjo tregon se shteti mbetet ende i kapur”, ka thënë ai, duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do t’ua kallëzojnë vendin atyre që nuk mbajtën fjalën.

Bahtiri ka paralajmëruar se marrëveshja me Serbinë nuk do të mund të ratifikohet në Kuvend.

Sipas tij, ajo do të kundërshtohet fuqishëm nga qytetarët e Kosovës. “Ai mendon se marrëveshjen do ta bëjnë këtë vit, por ju do ta shihni se qytetarët do të reagojnë shumë ashpër ndaj kësaj marrëveshje, duke e pamundësuar votimin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Do të thotë,ata nuk do të mund të bëjnë asgjë, sepse ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend nuk do të mund të ndodhë”, është shprehur ai.

Zyrtari i LV-së e ka komentuar edhe takimin e Uashingtonit që do të mbahet më 27

“Mendoj se në takimin e 27 qershorit nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare. Tani është pak më ndryshe. Në këtë takim besoj se do t’i përcaktojnë kornizat kryesore të procesit. Ky maliverzim që ka ndodhur dhe do të ndodhë, nuk do të jetë asgjë më shumë ose më pak sesa e ka paraparë Hashim Thaçi”, ka deklaruar Bahtiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme