Bahtiri tregon se nesër do të takohet me Thaçin për bashkimin e Mitrovicës

Mitrovicë | 20 Shk 2019 | 16:53 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Peticioni i nënshkruar nga 16,594 qytetarë të Mitrovicës Jugore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave nuk ka gjetur mbështetje në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Për mendimin e MAPL-së në lidhje me këto nënshkrime, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, tha për Ekonomia Online, se nuk iu janë drejtuar kësaj ministrie.

Ai ka bërë të ditur se do të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, nga i cili thotë se do të kërkojë të nis procedurat tek Kuvendit për bashkimin e Mitrovicë.

“Jam shumë optimist sepse qyteti i Mitrovicës do ndodh bashkimi i saj nuk e di çka ju ka tek Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal ne nuk ju kemi drejtua atyre por Kuvendit, por meqë e kanë potencua se mundet vetëm presidenti me dërgua në parlament unë nesër në ora 10 në parlament do kërkoj nga ai që të kërkoj nga parlamenti të ndryshohet ligji për bashkimin e Mitrovicës”, tha Bahtiri.

Ai tha se edhe presidenti Thaçi është pro bashkimit të Mitrovicës dhe pret të realizohet kjo.

“Mendoj se presidenti u deklarua që po, nesër do jem me të do i kërkoj të kërkon nga Kuvendi të miratohet ligji i cili është propozua nga 16 mijë nënshkrime dhe të zbatohet vullneti i qytetarëve”, shtoi në fund Bahtiri.

Kreu i Mitrovicës jugore, tha se nuk do heq dorë nga vullneti i qytetarëve dhe do të trokas në secilin institucion që të bëhet e mundur kjo.

“Nuk do të heqim dorë dhe do jemi të vendosur se kjo do shkoj deri në fund po i provojmë gjitha institucionet, por nëse kjo dështon ne do të ngrihemi të gjithë në këmbë vetë”, tha Bahtiri për Ekonomia Online.

Në fillim të këtij viti, Bahtiri ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës me 16,594 nënshkrime të qytetarëve.

Ndërsa të mërkurën, Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës jugore për bashkim me atë veriore.

Të ngjashme