Bajqinovci e arsyeton mungesën e Kurtit në Deçan: Çfarë do të bënte kryeministri po të ishte këtu?

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mos menaxhim të mirë të situatës me rastin e dyshimeve për helmime nga uji të qytetarëve të komunës së Deçanit.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci i ftuar në emisionin ‘DIREKT’ të ATV-së, konsideron që veprimi i Qeverisë ka qenë mjaftë i shpejtë.

“Ditën e dytë menjëherë është ndërhyrë, opozita po kërkon të bëjë kauzë, nuk bëhen kauza me problem të tilla shëndetësore, është një problem jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe shumë shqetësues për shtetin. Ka ndërhyrë FSK-ja, ka ndërhyrë Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet, si dhe ministri i Shëndetësisë drejtpërdrejtë ka shkuar në vendin e ngjarjes, gjithashtu edhe presidentja e vendit, ndërsa ata po kërkojnë që edhe kryeministri, e ai dihet që është në Greqi në vizitë,” – tha Bajqinovci.

Sipas tij, ardhja e kryeministrit Kurti nga vizita në Greqi, nuk ka qenë e nevojshme.

“Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë vdekje që lidhen me këtë helmim, dhe sot gjendja është shumë stabile. (…) Çka kish mundur me bo më tregoni nëse kish me qenë kryeministri?,” – shtoi ai.

Ndërkaq, deri më tani është raportuar se mbi 1500 banorë të Deçanit dhe mbi 80 të Pejës kanë rezultuar të helmuar.

Të ngjashme