Bajrami: Në mars inflacioni shënoi rekord prej 10 %, pushteti po mundohet ta trajtojë krizën me lëmoshë

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 12:27 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se pakoja prej 100 milionë euro e ndarë nga Qeveria në ndihmë të qytetarëve, do t’iu mundësojë tregtarëve t’i mbajnë çmimet e larta, raporton Ekonomia Online.

Në një konference për shtyp, ish-ministrja Bajrami ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje më të vështirë e më të pashpresë sesa tani.

“Nuk ka artikull nga shporta e konsumatorit, çmimi i të cilit nuk është dyfishuar dhe në shumë sektorë ka përkeqësim të gjendjes. Qytetarët ndjehen të diskriminuar. Në pakon 100 milionë euro, me të cilën qeveria kërkon zgjidhje për krizën ekonomike, lihen jashtë të papunët. Pasi dyfishoi çmimin e energjisë dhe kur inflacioni arriti shifrat dyshifrore, me shumën prej 100 euro po mundohet të ndihmojë sektorin publik e privat”, tha Bajrami.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin rreth inflacionit enorm prej 10% dhe bllokimit të investimeve kapitale.

Hykmete Bajrami tha se LDK-ja disa herë me radhë ka dhënë edhe propozime konkrete për tejkalimin e krizës e cila tashmë ka kaluar në papërballueshmëri për qytetarët.

“Në këtë kohë krize, heqja e TVSH-së për produktet bazike si dhe heqja e akcizës për produktet e energjisë për një periudhë të caktuar kohore, politika tatimore që kanë ndikim të drejtpërdrejte në rritjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, do të ishin politika të duhura për menaxhimin sa më të lehtë të kësaj situate të rëndë”.

Por sipas saj, pushteti ka zgjedhur që krizat e thella t’i trajtojë me lëmoshë, dhe atë vetëm për një muaj.

Krahas rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi ynë në muajin mars ka arritur normën rekord të inflacionit prej 10%, theksoi Bajrami.

Situata rëndohet edhe më tej, pasi që pushteti akoma nuk i ka funksionalizuar institucionet e pavarura, si: Organi Shqyrtues i Prokurimit, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Komisioni i Ndihmës Shtetërore, me ç’rast ka bllokuar investimet kapitale në nivelin lokal dhe atë qendror, në kohën kur ato janë më së shumti të domosdoshme.

“Bllokimi i institucioneve të pavarura ka bllokuar qindra miliona investime kapitale. Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është funksional qe një kohë të gjatë. Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar 42 kontrata në vlerë 9 milionë euro”, theksoi Bajrami.

Institucione të tjera të bllokuara janë Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni për Ndihmë Shtetërore.

Deputetja e LDK-së tha se “Qeveria e 51-përqindëshit” nuk po gjen persona “të pastër” për këto komisione.

Ajo akuzoi Qeverinë Kurti edhe për bllokimin e themelimit të Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.

“Nuk do të marrim pjesë në asnjë nismë legjislative për shkak se na u është mohuar një e drejtë si opozitë… Votimi i projektligjeve që vijnë nga Qeveria dhe marrëveshjeve ndërkombëtare është përgjegjësi e mazhorancës. Kemi qeveri që ka numra në kuvend dhe është përgjegjësi e tyre, para se të pengohej formimi i komisionit hetimor”, deklaroi Bajrami.

May be an image of text

Të ngjashme