Bajrami në mbështetje të Kajtazit, të rinumërohet secila kuti nën vëzhgimin e kamerave

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me shqetësimin e kandidatëve për deputetë për siç thonë ata “manipulimet” që janë bërë me vota.

Bajrami kërkoi nga KQZ që të marrë vendim për rinumërimin e secilës kuti të votave.

Përveç kësaj, ajo propozon që numërimi të transmetohet live në tri televizionet nacionale të Kosovës.

“KQZ-ja të marrë vendim për rinumërim të secilës kuti nën vëzhgim të kamerave, në transmetim live në televizionet nacionale. Nëse nuk bëhet për kandidatët, duhet të bëhet për qytetarët”, shkroi ajo në Facebook, duke shpërndarë postimin e bashkëpartiakes së saj, Lirie Kajtazi, e cila tha se rezultati i saj në këto zgjedhje është përmbysur në Qendrën e “Fabrikimit” të Rezultateve.

Reagimet dhe pakënaqësitë për rezultatet e këtyre zgjedhjeve u shtuan pas publikimit të një video në media, ku implikohet bashkëshorti i kandidates për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, me pretendimin se i njëjti u ka dhënë 6 mijë euro komisionerëve që t’ia shtojnë 600 vota bashkëshortes së tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme