Bajrami: Nisma synon të shkojë e vetme në zgjedhje

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 22:50 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Valdete Bajrami, ka thënë në Debat Plus në RTV Dukagjini me Fidan Ramën se janë të bindur që si subjekt politik të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

“Vazhdimisht jemi në takim me anëtarët dhe kryesitë dhe mendimi i tyre është që të shkojmë vetëm në zgjedhje. Shumë palë zgjedhje kemi kaluar dhe kemi dalë më të fuqishëm çdo herë. Ka pasur periudha që kanë dëshmuar se Nisma është faktor – Nisma është faktor pa të cilën nuk mund të merren vendime të mëdha. Në zgjedhjet e kaluara kemi hyrë të vetëm kështu synojmë prapë”, ka thënë Bajrami në RTV Dukagjini.

Të njëjtin qëndrim për të garuar të vetëm e shprehu edhe Endrit Shala, aktualisht ministër në dorëheqje në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, i ftuar në Debat Plus.

“Ne do të marrim plus dhjetë deputet dhe do të jemi faktorë kyç në Qeverinë e re”, është shprehur Shala në Debat Plus

Bajrami ka shtuar se me PSD, kanë pasur një përafrim për një bashkëpunim, duke mos dashur të komentojë marrëveshjen që nënshkruan gjatë së hënës AAK dhe PSD, që të garojnë me një listë në zgjedhjet e parakohshme.

Të ngjashme