Balaj-Halimaj: Kemi besim te kryeministri Hoti, mocioni i VV-së spektakël medial

Prishtinë | 11 Gus 2020 | 07:49 | Nga Përparim Bublaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pavarësisht zërave që kanë dal për mospajtimeve brenda partnereve të koalicionit qeverisës, zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj ka thënë se ata kanë besim në partnerin e tyre kryesor në koalicion, LDK-në.

Balaj- Halimaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka pranuar se ka mospajtime për disa çështje, por që sipas saj, bashkëpunimi është i mirë.

“Ne deri më tash kemi pasur një bashkëpunim të mirë me kryeministrin Hoti dhe po vazhdojmë ta kemi, dhe në momentin që nuk e kemi këtë besim ne do t’ia marrim ashtu siç ja kemi dhënë. Në mund të kemi mospajtime të cilat edhe mund të bëhen publike”, është shprehur ajo.

Dialogu ka qenë pika “thyese” e koalicionit Qeverisës, për të cilën gjë edhe zyrtarë të AAK-së dhe Nismës, kishin shprehur pakënaqësi për qasjen e kryeministrit Hoti që vije nga LDK.

Por, për zëvendëskryeministren Balaj-Halimaj, e cila është autorizuar që të kryejë punët e Qeverisë nga kryeministri Hoti i infektuar me COVID-19, edhe sa i përket dialogut ka bashkërendime mes partnerëve në Qeveri.

“Në Bruksel kemi qenë së bashku dhe kështu kemi përgatitur parimet  temat të gjithë bashkë, kështu po vazhdojmë të jemi për aq sa ka zhvillime në Bruksel”, është shprehur ajo.

Sa i përket takimit të ardhshëm në Bruksel i paralajmëruar të mbahet më 7 shtator, Balaj-Halimaj ka thënë se janë duke përgatitur temën e agjendave.

Lidhur më këtë takim presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, ka thënë se do të kërkojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Jemi në diskutim për temat që do të flitet me 7 shtator, ende nuk kemi ardhur në përfundim dhe në momentin që do ta kemi këtë agjendë do të flasim pastaj”, ka thënë zëvendëskryeministrja.

E për takime si këto në Bruksel, ajo po e sheh si shume të rëndësishme edhe përfshirjen e PDK-së në Qeveri.

Sipas saj, dialogu me Serbinë është njëra nga prioritet e kësaj Qeverie, dhe sa më unik që të jetë spektri politik do të jenë edhe më të fuqishëm në këtë proces.

“Ne kemi qenë për përfshirjen e PDK-së në Qeveri. Përfshirja e PDK-së në Qeveri do ta bënte qeverinë më stabile pikërisht karshi dialogut. Ne po duam që nga ky proces të dalim sa më unik dhe përfshirja e tyre do ta ndihmonte këtë proces. Nisma i ka bërë edhe ftesë PDK-së sepse mbi të gjitha kjo qeveri përpos pandemisë e ka prioritet edhe dialogun si një nga temat më të mëdha për Republikën e Kosovës”, është shprehur Balaj-Halimaj.

E përderisa, PDK si opozitë po ftohet për të qenë në Qeveri, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, po synon rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke shpresuar edhe në votat e PDK-së.

Por, për zëvendëskryeministren nga radhët e Nismës, iniciativa e VV-së për rrëzimin e Qeverisë më shumë është një spektakël medial, ndonëse e vlerëson si të drejtë ligjore dhe të pritshme një gjë të tillë nga partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës.

“Ata kanë dashur të bëjnë një spektral dhe e kanë filluar një të tillë. Por ata nuk e di nëse i kanë numrat për ta proceduar në seancë e lërmë ta rrezojnë Qeverinë, normalisht se është e drejtë së cilit të iniciojë dhe ne edhe mund ta kem pritur nga VV sepse është krejt ligjore. Por, ne nuk besojmë që ata mund ta bëjnë këtë, sepse nuk i kanë numrat dhe mbështetjen e partive tjera politike”, është shprehur ajo.

Balaj- Halimaj ka folur edhe për situatën me pandeminë, dhe nëse do të ketë masa të reja.

E sa i përket kufizimeve të reja, ajo ka thënë se kjo është në vlerësimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, që sipas saj, çdo rekomandim që vije nga ta, ekzekutivi do të kthej në vendim.

“Nëse instituti e sheh që duhen masa më rigoroze, ne jemi ata që  ato rekomandime do t’i kthejmë në vendime”, ka deklaruar aktualisht e para e qeverisë.

Sipas saj shtimi i numrit të testimeve do të ndikonte në një menaxhim më të mirë, ashtu siç pritet që të ketë efekt pozitiv edhe testimi në laboratorët privat të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

E qytetarët që do të testohen në këto laboratorë, Balaj-Halimaj ka thënë Ministria e Shëndetësisë do të ketë informacione për rezultatet e tyre.

Të ngjashme