Baraliu: Çështja e martesës sikur po propozohet në Kodin Civil, në kundërshtim me Kushtetutën

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 08:30 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka folur për ndryshimin e Projektligjit për Kodin Civil, ku në pjesën për familjen, përkatësisht çështjen e martesës, ka një formulim që ka shkaktuar reagime, përfshirë dhe nga bashkësitë fetare të Kosovës.

Baraliu ka thënë për Ekonomia Online se ky ndryshim në Kodin Civil, ku thuhet se “Bashkësi të individëve të caktuar mund të bëjnë martesë”, pra pa dallim gjinie, është në kundërshtim me çështjen e njëjtë që e rregullon Kushtetuta e Kosovës.

Ai shtoi se do të duhej të zhvillohej një debat për të parë se a është në rregull ky formulim.

“Projekt-Kodi Civil është një Kushtetutë e dytë e Kosovës dhe që ka rëndësinë e jashtëzakonshme për ta rregulluar tanimë në një vend gjithë materien juridike-civile. Pra të gjitha ligjet që tani janë në fuqi, tani janë futur në këtë projekt-kod i cili sa i përket çështjes së martesës ka një formulim që ka shkaktuar edhe reagime dhe mund të shkaktojë edhe më tutje”, shprehet Baraliu.

Sipas tij, në Kushtetutën e Kosovës është një formulim “dukshëm më i butë” për këtë çështje.

“Ndërkohë që në Kod është më ekstrem dhe është në kundërshtim me atë formulim. Prandaj mendoj që do të duhej të diskutohej dhe të hapej debat publik, në mënyrë që të sqarohen mirë çështjet që mund të shkaktojë kjo formë; sepse thuhet ‘Bashkësi të individëve të caktuar mund të bëjnë martesë’, pra pa dallim gjinie. Kjo në fakt mund të interpretohet dhe të zhvillohet në praktikë pastaj, dashtë e pa dashtë pa të keqen e askujt, mbase po supozojmë që nuk ka ndonjë qëllim të keq këtu, të fusë elemente anti-biologjike në Kushtetutë dhe në ligje, në këtë rast konkret në Kodin Civil”.

“Nuk do të duhej të bëhej vendi ynë arenë e këtyre formulimeve dhe zgjidhjeve të caktuara legjislative”.

Baraliu thotë prerë se ai është kundër këtij formulimi.

“Shkurt e shqip mendoj që pas një debati të shterur do të duhej parë se a është në rregull ky formulim, apo jo. Sa më përket mua, që tani të jem i prerë për shkak të asaj që kemi obligim dhe përgjegjësi ndaj opinionit publik, se mendoj që nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk do të duhej të kishte një formulim të tillë”.

Kundër ndryshimit në Kodin Civil, që lejon martesat e gjinisë së njëjtë, kanë dalë dhe bashkësitë fetare të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar dje nga Myftiu Naim Tërnava, Ipeshkvi Dodë Gjergji, Femi Cakolli nga Kisha Protestante dhe Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike, shprehet shqetësimi tonë lidhur me ndryshimin në Pjesën e Familjes, që “dobëson përkufizimin dhe funksionimin e martesës në Kosovë”.

Ndërkohë, deputetja boshnjake, Duda Balje, ka paralajmëruar se do të votojë kundër ndryshimit në Kodin Civil që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR.

Kundër, sepse nuk perketë me kulturen, traditen në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, ka shkruar Balje.

Shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës nr. 08/L-124 është në rend të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila nis në orën 10:00.

Të ngjashme