Baraliu: Dialogu kompetencë e Qeverisë, formimi i “Ekipit Negociator” e degradoi Kushtetutën

Prishtinë | 29 Qer 2019 | 08:20 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Njohësi i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim i drejtë, vendim i saktë që burimin e ka në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

Ai thotë se formimi i këtij Ekipi Negociator ka degraduar edhe vetë Kushtetutën dhe ka dalë jashtë kornizave kushtetuese.

“Veprimtaria dhe ligji me të cilin është bërë ky Ekip Negociator ka degraduar edhe vetë Kushtetutën , ka dalë jashtë kornizave kushtetuese dhe si i tillë më të drejtë është shpallur inekzistentë, kundërkushtetues dhe i padrejtë. Ky është një shembull eklatant që tregon se konstruksionet e ndryshme dhe manipulimet dhe zgjidhjet nuk ka qenë në nivelin e duhur sepse vendimet që janë marrë në këtë rast dhe kombinatorikat që janë marrë hera-herës  nga subjektet e ndryshme politike për të marrë pushtet kanë qenë të tilla që nuk kanë qenë në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe etikës qeverisëse dhe të moralit qeverisës”, thotë ai për Ekonomia Online.

Ai thotë se i gjithë ky proces është kompetencë e ekzekutivit, më konkretisht i Qeverisë dhe nuk duhet t’i delegohet dikujt tjetër.

Baraliu thotë se ky ishte një vendim për t’ia deleguar dikujt tjetër kompetencat në dialogun me Serbinë, ishte vendim i gabuar dhe me pasoja të pariparueshme dhe katastrofale.

“Ne kemi pasur fërkime të mëdha dhe mospajtime të mëdha që nga fillimi në mes të pushteteve dhe Presidencës sa i përket faktit dhe aktit se kush duhet të prezantoj në Bruksel Kosovën në fazën përfundimtare të dialogut. Gabimi më i madh që ka treguar shmangien nga obligimet kushtetuese dhe një naivitet ndoshta i paqëllim, por që ka prodhuar pasoja katastrofale dhe të pariparueshme është deklarimi dhe veprimi i ekzekutivit, në këtë rast i kryeministrit Haradinaj, i cili fillimisht kompetencat e tij kushtetuese, obligimet e tij kushtetuese për sa i përket përfaqësimit të shtetit në dialog dhe në marrëveshje ndërkombëtare me faktorët tjerë ndërkombëtar ia bartë Presidentit, si duket pa i ditur pasojat dhe qëllimet mbase dhe rrjedhat se çka do të ndodh pastaj me atë bartje kompetencash tek Presidenti i vendit”, thotë ai.

Baraliu porositë koalicionin qeverisës se duhet të vetëdijesohet për veprimet që ka bërë dhe të bëjë përpjekje serioze që në rend të parë t;i ketë interesat shtetërore dhe ndërkombëtare.

“Procesi i dialogimit dhe i negocimit është çështje, kompetencë dhe përgjegjësi e ekzekutivit, pra e Qeverisë. Çdo çështje shtetërore brenda dhe jashtë në funksion të zbatimit të ligjeve, Kushtetutës dhe të lidhjes së marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare dhe trajtimit të problemeve bilaterale me një shtet tjetër dhe multilaterale është çështje që i takon shtetit, gjegjësisht organeve shtetërore, në këtë rast ekzekutivi është organi kompetentë që do të duhej t’i bënte këto. Duhet menjëherë të vetëdijesohet ky koalicion qeverisës për veprimet që ka bërë të gabuara gjithsesi, të bëjë përpjekje serioze, që t’i ketë në rend të parë interesat shtetërore dhe kombëtare”, thotë ai për Ekonomia Online.

Baraliu shprehet skeptik në arritjen e një marrëveshje me Serbinë, pasi thotë se ajo nuk dëshiron dialog e as marrëveshje dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ky nuk është dialog i domosdoshëm, nuk është i ngutshëm dhe i dobishëm për Kosovën, por është shumë më tepër i dobishëm për Serbinë sepse edhe nga ky dialog dhe nga kjo fazë e cila nënkupton destruksionin e Serbisë, sepse Serbia nuk dëshiron dialog, as marrëveshje, Serbia nuk është e aftë as politikisht as realisht që të bëjë një marrëveshje ku do ta njoh Kosovën, por edhe të stabilizojë marrëdhëniet me Kosovën”, tha ai.

Por, ai pati kritika të mëdha për lidershipin.

Tha se ata nuk e vrasin mendjen për veprimet e tyre, e që për dorëheqje nuk bëhet fjalë.

“Këta njerëz nuk vrasin mendjen, nuk japin as dorëheqje as nuk ka ndërgjegjeje e as pendim, të paktën një heshtje imponohet, por këta nuk heshtin vazhdojnë me avaze të tjera për të treguar protagonzimin e tyre institucional, ndërkohë që nuk bënë diçka të rëndësishme për tu vlerësuar.

Opinioni publik është i zhgënjyer  dhe i pashpresë dhe Kosova po zbrazet çdo ditë për shkak se besimi në institucione është shumë i ulët”, tha ai.

Baraliu e sheh edhe një zgjidhje në rast se nuk merren veprime konkrete nga klasa politike.

Thotë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhje.

“Do të duhej të reflektuar, është momenti i fundit që të ndërrohet avazi dhe qëndrimet, politikat që bëjnë në të ardhmen të jenë konsensuale. Nëse kjo nuk shkon, këta politikanë duhet të vetë deklarohen dhe të merren vesh për një datë të zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë që të verifikohen në opinion edhe njëherë se  kush e ka mirë, pozita apo opozita”, thotë ai, për Ekonomia Online.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”.

Gjykata ka konstatuar se “si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim.

Lexo më shumë:

Të ngjashme