Baraliu për operacionin e Osmanit: Nuk do të duhej askush të bëjë hulumtime nëpër zorrët e organizmit, është e drejtë e garantuar me Kushtetutë

Prishtinë | 08 Maj 2022 | 15:36 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gazeta turke “Hurryiet” ka shkruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një operacioni në Antalia të Turqi, për heqjen e kilogramëve. Sipas këtij shkrimi ajo ka qëndruar për një kohë në një hotel me 5 yje në Antalia, derisa pas operacionit gastrektomik, ajo është kthyer në Kosovë.

Në Kosovë ka pasur reagime të shumta publike, për faktin se gjatë kohës kur Osmani ka qëndruar në Turqi, detyrat e postit të saj si presidente, nuk i kanë kaluar askuj.

Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se e drejta për dinjitet dhe privatësi janë kategori më relevante të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e këtij vendi dhe nuk duhet askush të ndërhyjë.

Neni 9-të i Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës, thotë se në rast te presidenti i vendit nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë, atëherë mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij, kryetarit të Kuvendit. Gjithashtu ka pasur nga personalitete të ndryshme kritika se presidentja është dashur të informojë qytetarët se po i nënshtrohej një operacioni.

Baraliu i ka quajtur këto interpretime keqkuptim në masë, keqinterpretim i demokracisë dhe abuzim me ligjet e vendit.

“E drejta për dinjitet dhe privatësi janë kategori më relevante të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e këtij vendi. Nuk do të duhej që të bëhet tejkalim i asaj që quhet jetë demokratike dhe mundësi demokratike. Nuk do të duhej askush të bëjë hulumtime nëpër zorrët e organizmit të njerëzve për arsye se është e drejtë personale e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje të vendit për secilin individ që ta ruaj dinjitetin e vet. Pra nuk mund të quhet jo llogaridhënës për veprimet e veta”.

“Është keqkuptim në masë dhe keqinterpretim i demokracisë dhe abuzim me ligjet e vendit që dikush të depërtojë në sferat më personale të privatësisë të kujtdo qoftë”, tha Baraliu.

Tutje ka shtuar se Osmani po i shërben vendit në mënyrë efektive dhe efikase duke kryer detyrat që burojnë nga neni 48 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Çfarë llogaridhënie duhet të jep dikush për shëndetin personal për dëshirat mbi të gjitha qëllimin më të mirë më pozitiv për mirëmbajtjen e shëndetit personal me qëllim që ti shërbejë vendit dhe unë nuk dyshojë në këtë që Presidentja e vendit ti shërbejë në mënyrë sa më efektive dhe efikase detyrave kushtetuese që burojnë nga neni 48 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe dëshirave dhe planeve që ajo ka”, është shprehur Baraliu.

Lexo më shumë:

Të ngjashme