Baraliu: Qeveria e re mund të formohet pa Listën Serbe

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Në Qeverinë Kurti, e cila pritet të formohet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, Lista Serbe siç duket nuk do të ketë vend. Kjo pasi që, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka premtuar se në Qeverinë që ai do ta formojë do të jetë pa Listën Serbe, dhe se Qeveria do të formohet me serbët të cilët e pranojnë realitetin e Kosovës.

Premtimi i Kurtit është i realizueshëm, sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliu. Ai tha se të gjitha ata që kanë menduar se pa Listën Serbe nuk mund të formohet Qeveria, kanë gabuar.

“Mundet të formohet Qeveria pa Listën Serbe, neni 96 i Kushtetutës e parasheh që nëse qeveria ka 12 ministri, një ministër duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb, dhe një ministër tjetër nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Për ta emëruar atë  mundet ai që e formon Qeverinë. Mundet nga Lista Serbe, pra duhet t’i pyesë ata që ta propozojnë dikë, ose mandatari duhet ta propozojë dikë dhe ata pastaj nëse e votojnë dhe duan me qenë njeriu i tyre në Qeveri mirë, nëse jo mandatari ka të drejtë ta propozojë dikë nga komuniteti serb po që as nuk është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe as nuk i përket Listës Serbe. Por, përsëri është i detyruar ta kërkojë mendimin e Listës Serbe, nëse ata nuk kanë ndonjë mendim pozitiv për atë person, atëherë qeveria mund te vendos se kush do të jetë përfaqësues i komuniteti serb”, ka shpjeguar Mazllum Baraliu.

Lidhur me ketë temë për Telegrafin është deklaruar edhe Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Krasniqi pohoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e parasheh bashkëpunimin me përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme, dhe se jo domosdoshmërisht Qeveria duhet formuar me disa individë të caktuar.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e parasheh që në çfarë do Qeverie që formohet të jenë vendet e rezervuara për komunitetet jo shumicë. Në bazë të Kushtetutës është parë që të jetë një ministër i komunitet serb, dhe një zëvendësministër i komunitetit serb, kurse të tjerët nga komunitetet tjera. Nëse ka një person i cili është jashtë grupit parlamentar atëherë për të udhëhequr një dikaster, ai duhet të marrë aprovimin e grupit parlamentar të cilin ai e përfaqëson. Kjo nuk nënkupton drejtpërdrejtë nevojën për formimin e një koalicioni qeverisë me disa individë të caktuar, por parasheh që të ketë bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje e  cila ka dalë partia e parë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, tashmë ka filluar bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e Qeverisë së re.

Grupet punuese të LVV-së dhe LDK-së janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka theksuar se Qeveria e re do t’i ketë 12 ministri, dhe se për këtë janë pajtuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai po ashtu ka thënë se pret ta marrë zyrtarisht postin e kryeministrit në muajin nëntor.

Rezultatet e zgjedhjeve do të certifikohen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind. 

Të ngjashme