Baraliu: Vendimi për rinumërim po bëhet për shkak të ndikimeve politike

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur sot mori vendimin për rinumërimin e 530 vendvotimeve tjera si rezultat i raportit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), shkruan GazetaBlic.

Profesori universitar dhe ish-kryesuesi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka komentuar vendimin e sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 530 vendvotimeve.

Ai tha se kjo që po ndodh tani në këtë proces është luftë për çdo votë nga disa subjekte politike, ndërsa sipas tij KQZ-ja ka ndikime politike për të marrë vendime të tilla për rinumërim të votave.

“Ka ndikime politike në KQZ dhe presion që t’i marr këto vendime, është interes i subjekteve politike, megjithatë çdo herë që verifikohet procesi është më mirë sepse hiqen dilemat e të gjithëve, është një gjendje ku luftohet për çdo votë”, tha ai.

“Disa nga subjekte po luftojnë për mbijetesë për t’u futur ose jo në parlament me disa vota, sipas tyre mendojnë se janë tashmë të gatshëm dhe meritor për t’u futur, por tani presin betejën për çdo vota për ta konfirmuar dëshirën dhe bindjen e tyre elektorale. Disa janë për primat duke luftuar për vend të parë, ende nuk është pranuar që ai që është i pari tani mendojnë të tjerët se janë ata të parët dhe duhet pritur momentin e fundit për të vërtetuar se cili subjekt është i pari, është luftë për çdo votë dhe tani nën presion KQZ-ja është në një presion nga subjektet politike për këtë proces sepse ndryshe bëhen matematikat”, tha Baraliu.

Ai tha se rinumërimi është duke zvarritur edhe më shumë procesin që erdhi si kërkesë e tri subjekteve politike, NISMA, PDK, LDK, që disa kërkuan rinumërim e disa edhe rivotim.

“KQZ-ja mori sot vendim që bazuar në numërimet e 314 vendvotimeve në bazë të së disa informatave del se nuk ka pasur thjeshtë arsye për të zvarritur procesin e numërimit të shpalljeve të rezultateve, por ata tani janë edhe në vendim të rinumërimeve dhe duhet parë se çfarë po bëhet”, tha Baraliu.

Baraliu tha se komisionerët që janë duke qëndruar në QNR kanë interes për të pasur prapë rinumërim sepse është luftë për çdo votë.

“Ato kanë interes, luftë është për çdo votë dhe konfirmon fakti se ato subjekte politike më herët në mbarim të procesit kërkuan të bëhet rivotim apo rinumërim, kërkonin që procesi të përsëritet dhe të bëheshin edhe 5-6 milionë shpenzime tjera për zgjedhje të reja”, tha ai.

Baraliu tha se në fund të procesit të rinumërimit, mbrëmë u tha nga KQZ-ja se do të ketë prapë një kërkesë të tillë, që sipas Baraliut është e çuditshme se si mund te këtë një kërkesë të tillë ende pa pasur një raport nga QNR-ja.

“KQZ-ja respektoi kërkesat e subjekteve, menjëherë mbrëmë pas përfundimit të rinumërimit përfaqësues nga KQZ-ja thanën se do kërkohet rinumërim por për çka është QNR-ja si mundet ta bëj këtë kur nuk e di se pse të bëhen këto numërime”, shtoi Baraliu për GazetënBlic.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme