Basha kishte folur qysh në korrik për “ndarjen e Kosovës”

Tiranë | 07 Gus 2018 | 11:49 | Nga

Paralajmërimi i Bashës kundër ndarjes së Kosovës që i shpëtoi medieve, disa javë më parë.

Sot e gjithë politika, media, analistët shqiptarë e të huaj janë përfshirë në debatin e hapur për ndarjen e Kosovës.

Edhe pse e diskutuar edhe më herë, kjo temë mori vëmendjen kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi doli në një konferencë e u shpreh për “korrektim të vijës kufitare me Serbinë”.

Por për këtë çështje është diskutuar më herë edhe pse media shqiptare nuk e ka pasur në vëmendje këtë temë, për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë së Edi Ramës.

Për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duket se i pari që ka folur për këtë çështje në Shqipëri është Kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Qëndrimi i tij, Basha e ka mbajtur që në datën 20 korrik gjatë takimit me presidenten Kroate Kolinda-Grabar Kitaroviç.

Por në atë kohë kjo çështje kaloi pa u vënë re në mediat e Tiranës për faktin e një vëmendje të munguar ndaj kësaj çështje. Sot kur idetë për shkëmbime territoresh janë kthyer në temë dite, vjen natyrshëm në vëmendje kundërshtimi që Basha i bën kësaj ideje edhe pse mediatikisht nuk kishte një artikulim masiv.

Në njoftimin për shtyp të PD-së theksohet se ‘në takimin me presidenten e Kroacisë, zoti Basha i ka cilësuar të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh të cilat sipas tij çojnë drejt hapjes së kutisë së Pandorës’.

Siç duket lajmi që tani ka përfshirë politikanë e analistë nga e mbarë bota shqiptare dhe më gjerë ka qenë më herët në vëmendjen e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha i cili e konsideron të rrezikshme për paqen dhe stabiliteti në rajon e më gjerë idenë e shkëmbimit të territoreve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme