Baton Haxhiu: Enver Hoxhaj kurrë nuk mund të jetë lider i një partie, është i pafuqishëm

Prishtinë | 17 Qer 2021 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Baton Haxhiu ka folur për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilat tha se kushdo që vendoset në krye të kësaj partie, zgjedhjet i ka të humbura.

Haxhiu në një lidhje direkte në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj nuk është aty për faktin që Kadri Veseli ka pasur dëshirë që ai të jetë në krye, por për arsye se nuk ka pasur një tjetër të gjeneratës më të moshuar në PDK, që do ta trashëgonte tranzicionin.

“PDK-ja ka probleme serioze, jo për emra, por ka probleme se farë është qëndrimi i saj karshi VV-së, LDK-së, dhe karshi Bashkësisë ndërkombëtare. Nëse mundem me prek dy elemente. PDK-ja s’ka lidership, deri tash ka qenë në një pritje të fuqisë së apelimit se çfarë do të ndodhë nga Haga, së paku që njëri prej liderëve të tyre të kthehet në shtëpi pastaj me lehtësi të komunikojë me ta, dhe ta fitojnë fuqinë e humbur. Por, me që ajo do të jetë shumë e vështirë. PDK-ja nuk ka pasur një njeri të dytë, por një njeri të deleguar nga Kadri Veseli. Jo për faktin që Veseli ka pasur dëshirë që Enver Hoxhaj të jetë aty, por nuk ka pasur një tjetër të gjeneratës më në moshë në PDK që do të trashëgonte tranzicionin”, tha Hoxhaj.

Ai madje shtoi se Enver Hoxhaj kurrë nuk mund të jetë lider i një partie.

“Kushdo që e merr PDK-në në këtë moment, i ka të humbura zgjedhjet. Ai kurrë nuk mund të jetë një lider i një partie politike, sepse ai është i maruar si njeri të jetë i pafuqishëm apo të mos jetë i pari, por i dyti apo i treti. E ka gjuhën e tillë politike, nuk e ka të një lideri që e fiton betejën, por që e menaxhon atë”, tha Haxhiu.

Kujtojmë se Hoxhaj po ushtron pozitën e kryetarit të PDK-së që nga nëntori i vitit 2020, për shkak që ish-liderit të kësaj partie, Kadri Veseli, i është konfirmuar aktakuzë nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në aktakuzë thuhej se ai ngarkohet me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Të ngjashme