BE-ja e kritikon Kosovën për ambasadën në Jerusalem

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian (KE) adresoi sot kritika mbi planet e Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem ndërsa të dy vendet nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e marrëdhënieve diplomatike, duke kujtuar pozicionin e bllokut mbi çështjen në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 478 të vitit 1980.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se pozicioni i BE-së është saktësisht i njëjtë me atë që ishte kur kjo pyetje u bë vitin e kaluar pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe administratës Trump më 4 shtator.

“Pozicioni i BE-së për lëvizjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë: Në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 478 të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së si dhe Delegacionin e BE-së në Izrael. janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë Stano, raporton dtt-net, transmeton Gazeta Express.

Stano më tej ka thënë se Kosova, me anë të kësaj, po dëmton rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Kosova ka identifikuar integrimin në BE si përparësinë e saj strategjike. BE-ja pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj evropiane të mos minohet”, ka thënë Stano.

Kosova dhe Izraeli sot kanë zyrtarizuar njohjen e ndërsjellë. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi është lajmëruar nga Jerusalemi në ceremoninë virtuale të zyrtarizimit të kësaj njohjeje.

Pas deklaratave ku ai dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla e kanë falenderuar e uruar njëri-tjetrin, Ashkenazi e ka zbuluar pllakën me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme