BE-ja ende nuk e ka marrë draftin e Statutit të Asociacionit

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 17:49 | Nga

Bashkimi Evropian nuk e ka marrë ende një draft të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kanë thënë zyrtarë të BE-së.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, tha për Kallxo.com se puna në hartimin e Statutit është ende duke vazhduar.

“Sapo Ekipi Menaxhues të na informojë zyrtarisht për gjendjen e punës së tyre, kjo çështje do të dërgohet në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Bruksel. Ne e kuptojmë se puna është duke vazhduar. Ndërkohë, BE punon vazhdimisht me dy palët për të siguruar implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe atyre që janë arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE”, tha zëdhënësja Kocijançiç.

Mediat gjatë javës kanë raportuar se dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, do të takohen në fillim të shtatorit në Bruksel për të vazhduar atë që po e quajnë si “fazë finale” të dialogut.

Javëve të fundit, si Thaçi ashtu edhe Vuçiq kanë shpeshtuar deklarimet në favor të një zgjidhjeje e cila prek kufijtë aktualë të dy vendeve, me mundësinë e një “korrigjimi” të tyre.

E pyetur nëse BE do të lejojë që në kuadër të dialogut, dy presidentët ta hapin një temë të tillë, Kocijançiç u përgjigj: “Sa i përket takimit të ardhshëm të nivelit të lartë, unë pres që ai të mbahet në fillim të shtatorit, por data nuk është caktuar ende. Agjenda, formati dhe ritmi i dialogut vendoset nga të dyja palët”.

“Më vjen keq të ju njoftoj që Draft-Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin e keni kërkuar ju, është një dokument i cili në këtë kohë është duke u draftuar nga trupat punues në Kosovë (Ekipi menaxhues) dhe kështu EEAS nuk e posedon”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për qasje në dokumente publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme