BE-ja mbështet 20 organizata të shoqërisë civile dhe mediale në angazhimin e qytetarëve në jetën politike dhe sociale

Prishtinë | 16 Qer 2022 | 15:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nisi sot në Prishtinë një ngjarje dyditore që do të mbështesë më shumë se 20 organizata të shoqërisë civile (OSHC) dhe mediatike për të kontaktuar publikun dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e tyre në krijimin e një shoqërie më të drejtë, më demokratike dhe shoqërinë gjithëpërfshirëse në Kosovë.

Veprimtaria “BE-ja për shoqërinë civile dhe mediat në Kosovë – Angazhimi i qytetarëve”, i mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti” ofron hapësirë për OSHC-të që të promovojnë rezultatet më të rëndësishme të punës së tyre dhe të inkurajojnë publikun që të angazhohet në jetën politike dhe shoqërore përmes aktivizmit qytetar dhe vullnetarizmit.

“Shoqëria civile dhe organizatat mediatike janë një nga partnerët kryesorë të BE-së në avokimin për reforma dhe promovimin e perspektivës së BE-së për Kosovën”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Kosova gëzon një peizazh pluralist mediatik dhe një mjedis të favorshëm për zhvillimin e organizatave transparente dhe të përgjegjshme të shoqërisë civile. BE-ja mbetet e përkushtuar që të angazhohet me aktorët e shoqërisë civile në nxitjen e progresit social, promovimin e të drejtave themelore dhe mbikëqyrjen e punës së qeverisë për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Ngjarja do të promovojë angazhimin publik me OSHC-të aktive në fushat e integritetit të medias dhe gazetarisë hulumtuese; mbrojtjes së grupeve të rrezikuara; promovimit dhe mbrojtjes të drejtave të njeriut; të drejtave të punëtorëve; barazisë gjinore; dhe aktivizmit rinor dhe vullnetarizmit.

Në ditën e parë projektet e tyre i shfaqën organizatat Anibar, Lëvizja Rinore YMCA, Down Syndrome Kosova, Save the Children, Pema, Care International Kosova, Kosovo 2.0, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Toka dhe DokuFest.

Vullnet Saraja nga “Anibar”, organizatë e cila ka për qëllim edukimin e gjeneratave të animatorëve, tha se BE-ja e ka përkrahur në vazhdimësi në projekte.

“Gjatë 4 viteve të fundit ne kemi bashkëpunuar vazhdimisht me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, në implementimin e projektit ‘Hapësirat kulturore të Kosovës’, që ka pasur për qëllim  menaxhimin më të mirë të hapësirave kulturore”.

Dorina Lluka, drejtoreshë e YMCA-s, po ashtu shprehu mirënjohjen për BE-në që po ndihmon fuqizimin e të rinjve në Kosovë.

“Ne jemi organizatë e të rinjve që punojmë në 120 shtete; jemi edhe në Kosovë. Aktualisht kemi 11 qendra të rinjve, ku ofrojmë aktivitete gjatë tërë vitit. Falënderojmë Zyrën e BE-së në Kosovë për fuqizimin e të rinjve në vendin tonë”.

Sebahate Beqiri nga Down Syndrome Kosova tha se BE-ja i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme të rinjve në Kosovë, e në veçanti fëmijëve me aftësi të kufizuara

“Situata e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës, ende vazhdon të mbetet mjaft sfiduese. Shoqata ‘Down Syndrome Kosova’ ka dy programe që ofron shërbime terapeutike mbështetëse për fëmijët të rinjtë dhe të rriturit. Programi i intervenimit dhe edukimit të hershëm dhe programin për autonomi dhe aftësim profesional”, tregoi ajo.

Aktivitetet dy ditore do të paraqesin një sërë ndërveprimesh, debatesh, ekspozitash, prezantimesh dhe shfaqje filmash.

Gjatë shtatë viteve të fundit, BE-ja ka mbështetur punën e më shumë se 300 organizatave të shoqërisë civile me pothuajse 20 milionë euro.

Kjo ngjarje organizohet në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, fushatë kjo që ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së për zhvillim social, 500 vendim-marrës të rinj janë fuqizuar me aftësi për të avokuar për të drejtat e grave, 15.000 djem dhe vajza janë përfshirë në aktivizëm rinor, shkëmbim ndërkulturor, dhe mësim joformal, si dhe më shumë se 50 000 njerëz të cenueshëm janë mbështetur përmes shërbimeve mjekësore dhe sociale.

Të ngjashme