BE-ja nuk e di kur do të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 08:36 | Nga Kaltrina Zymberi

Bashkimi Evropian ende nuk e di se kur do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e konfirmon për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian, Frederica Mogherini.

Ajo ka thënë se dialogu do të rifillojë në javët, apo muajt në vazhdim, por ka thënë se në këtë fazë nuk mund të japin një datë se kur mund të vazhdojë dialogu mes dy vendeve fqinje.

“Asnjë datë nuk është vendosur ende sa i përket vazhdimit të dialogut të nivelit të lartë Kosovë Serbi. Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët në mënyrë që dialogu të vazhdojë në javët dhe muajt që vijnë”, ka thënë ajo.

Dialogu ishte pezulluar me anë të një rezolute në Kuvendin e Kosovës pas ndalimit të ish – kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë me një fletarrest të lëshuar nga Serbia nën pretendime për krime lufte nga popullatës jo shumicë.

Për një rikthim të bisedimeve nuk është folur në Kosovë. Por e njëjta nuk ka ndodhur edhe në shtetin serb.

Kryetari i forumit për marrëdhënie etnike në Serbi, Dusan Janjiq ka deklaruar se raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me shumë gjasë do të vazhdojë në fillim të muajit maj.

Të ngjashme