BE-ja nuk komenton rihapjen e temës së kufijve në Ballkan

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Çështja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është rihapur sërish.

Kjo për shkak të diskutimeve për ndryshim të mundshëm kufijsh në Ballkan, e të cilat janë nxitur nga një letër që pretendohet se i është dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Sipas raportimeve të mediave në Bosnjë-Hercegovinë, në letër kryeministri Jansha premton angazhimin e tij në përmbylljen e procesit të “shkatërrimit të Jugosllavisë”.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se nuk janë në dijeni për letrën e rrjedhimisht as nuk mund të deklarohen për një gjë të tillë derisa lidhur me shkëmbimin e territoreve thonë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar.

“Mund të themi se, sa i përket kufijve pozicioni i BE-së është i qartë dhe në çështjen e kufijve nuk ka çfarë të ndryshohet. Ne duhet të punojmë drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në rajon, pa hyrë në fushat e rrezikshme, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e BE-së”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës për Politike të Jashtme në BE.

Në anën tjetër, sipas Augustin Palokajt, derisa ekziston ideja për ndryshimin e kufijve, Serbia do të mundohet të hap si temë një gjë të tillë.

“Pa marrë parasysh se cila është e vërteta me ekzistencën apo jo të këtij non-paper” të kryeministrit të Sllovenisë, ideja për ndryshimin e kufijve në territorin e ish-Jugosllavisë nuk është ende krejtësisht e vdekur sidomos në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Përderisa ekziston kjo ide në Serbi, Beogradi gjithmonë do mundohet të gjejë adresa edhe në Evropë për të rihapur këtë çështje përsëri”, ka thënë Augustin Palokaj, korrespodent i “KOHËS” në Bruksel.
Megjithatë Palokaj thotë se raportimet e tilla lidhur me kryeministrin slloven duhet të merren me rezerva.

“Gjithsesi duket pak e pabesueshme që kryeministri i Sllovenisë të del me ide të tilla në këtë kohë kur Sllovenia pritet ta merr kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Lidhur me diskutimet e për mundësinë e ndryshimit të kufijve, nuk kanë pranuar të deklarohen as nga Presidenca e as nga Qeveria në Kosovë. Të rezervuar për këtë temë, të martën kanë qenë edhe partitë opozitare në vend.

Të ngjashme