BE-ja pa qëndrim ndaj propozimit të Kurtit për reciprocitet

Prishtinë | 13 Shk 2020 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë eksplicite e kanë kundërshtuar idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për aplikimin e masave të reciprocitetit, pas të cilave do të hiqej taksa prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, qendrat evropiane insistojnë për heqjen e taksës, por nuk kanë komentuar paralajmërimet për futjen e masës së reciprocitetit.

Kurti, pas marrjes së detyrës së kryeministrit, më 3 shkurt, ka deklaruar që taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, duke e konsideruar këtë masë si një parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që nuk e mbështetë idenë e Kurtit për futjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që ambasadori Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën pa e zbatuar reciprocitetin.

Gjatë vizitës në Prishtinë, para se të zgjidhej qeveria e re, Grenell porositi që heqja e taksës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë edhe me ndërprerjen e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.

“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që ka dalë pas letrave të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo.

Në letrën që ai ia ka dërguar Kurtit me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë që tash “është koha për realizimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, gjë që është me rëndësi thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës.

Të ngjashme