BE-ja rikujton se shumë prej projekteve të zotuara në Washington tashmë po zbatohen

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Projektet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të zotuara në Washington e së fundi edhe në Prishtinë, Kosova i ka nënshkruar para shumë vjetësh edhe me BE-në. Në Samitin e Berlinit, i cili filloi në vitin 2014, vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Komisionin Evropian janë dakorduar rreth agjendës së ndërveprimeve, duke ndarë edhe kredi për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore. Në Qeverinë e Kosovës s’kanë treguar se cilat projekte do të financohen me paratë e amerikanëve dhe si do të veprohet me ato që janë duke u zbatuar me paratë e BE-së.

Por zyrtarë të Bashkimit Evropian kujtuan se shumë projekte të listuara në Marrëveshjen e Washingtonit tashmë janë duke u zbatuar në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Shumë prej projekteve të përshkruara në Uashington tashmë janë duke u zhvilluar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF). Për shembull, Bashkimi Evropian ka siguruar asistencë teknike për tërë “Autostradën e paqes” dhe tashmë ka aprovuar investime për pjesët e para të autostradës në Serbi dhe në Kosovë. Disa nga projektet janë të reja dhe duhet të vlerësohen plotësisht në terma të realizueshmërisë dhe pajtueshmërisë, si dhe planet e BE-së për rajonin”, ka thënë Ana Pisonero, zëdhënëse në Komision Evropian.

Megjithëkëtë, ajo ka shtuar se janë të gatshëm të punojnë me partnerët amerikanë dhe po presin me padurim kontributin e tyre të rëndësishëm financiar. Sipas zyrtares së Komisionit Evropian, kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi janë duke punuar në Planin Ekonomik dhe atë të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili do të botohet këtë vjeshtë. Qëllimi është sjellja e rajonit më afër BE-së, si dhe krijimi i vendeve të punës për të mirën e bizneseve dhe qytetarëve.

E njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, tha se përveç zotimeve të dhëna në marrëveshjet e fundit, do të duhej qartësi më e madhe sa i përket orientimit të financave nëpër projekte.

“Dakordimi për financimin e tyre nga ana e Shteteve të Bashkuara për momentin është e paqartë, se cilën pjesë të projektit do ta financonte ShBA-ja e cilën BE-ja. Duhet një koordinim më i afërt mes BE-SHBA dhe institucioneve me qëllim të dakordimit se cili burim financiar e financon cilën pjesë të projektit”, ka thënë ai.

Një raport i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor flet për mekanizmin financiar përmes të cilit BE-ja financon projekte infrastrukturore. Si rezultat i saj, Marrëveshja për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore ‘10’, ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it është nënshkruar në fillim të vitit 2018. Ky projekt përfshin trasenë që shkon nga Leshaku i veriut të Kosovës tek Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë. Financimi është bëra nga BERZH-i në një vlerë prej 209 milionë eurosh.

Por në Marrëveshjen e Uashingtonit nuk përmendet autostrada Leshak-Hani i Elezit, por vetëm ajo Prishtinë-Merdar dhe Nish-Prishtinë.

Ministria e Infrastrukturës nuk ka ofruar sqarime për ndryshim. Por Lëvizja Vetëvendosje e ka ftuar në raportim ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi për, siç thuhet, “zotimet e dhëna në takimin e 4 shtatorit në Uashington për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë në drejtim të Merdarit, duke devijuar linjën hekurudhore për në Leshak”.

Të hënën është nënshkruar Marrëveshja e re ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për “nxitjen e investimeve”, ku shuma e investimeve të premtuara arrin mbi 1 miliard euro.

Të ngjashme