BE-ja thotë se po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës, fton “të gjithë të përfshirët” për qetësi

Bruksel | 01 Gus 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Peter Stano, ka thënë sot në një konferencë shtypi në Bruksel, se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.

Ai ka kërkuar që të ndërpritet “çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes”.

“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, tha Stano, përcjell Ekonomia Online.

Sipas tij, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”.

“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrellit dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, theksoi Stano, para gazetarëve.

Sipas tij, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin ndërkohë në Bruksel për të diskutuar një rrugë përpara. “Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”.

Zëdhënësi Stano ka konfirmuar se Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve”.

(Video: European Union)

Të ngjashme